Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i është përgjigjur kryeministrit Rama duke nxjerrë një plan konkret me tre pika për emergjencën që po kalon vendi.
Në emër të opozitës, Basha thotë se mbështesim çdo përpjekje për të ndihmuar njerëzit e goditur dhe ne kemi vullnetin për të ndarë idetë dhe planet tona me këdo që ka dëshirë të dëgjojë.

Ai iu bën thirrje më tej atyre që “po e përdorin këtë kohë dhimbjesh dhe vuajtjesh për axhendën e tyre politike, ta fokusojnë vëmendjen tek ata që kanë më shumë nevojë”.

Ndërkaq propozimi i PD konsiston në angazhimin e mbi 500 inxhinierëve për vlerësimin e banesave të dëmtuara nga tërmeti, vlerësimin me urgjencë të banesave të dëmtuara dhe anulimin e 150 mln dollarëve të planifikuara për t’iu dhënë 10 oligarkëve.

DEKLARATA E BASHËS

Përgjatë këtyre ditëve të vështira, qëndrimet tona kanë qenë konstante. Ne mbështesim çdo përpjekje për të ndihmuar njerëzit e goditur, dhe ne kemi vullnetin për të ndarë idetë dhe planet tona me këdo që ka dëshirë të dëgjojë.
I bëj thirrje atyre që po e përdorin këtë kohë dhimbjesh dhe vuajtjesh për axhendën e tyre politike, ta fokusojnë energjinë dhe vëmendjen tek ata që kanë më shumë nevojë se kurrë për ndihmë!
Për këdo që ka vullnetin të dëgjojë, ky është propozimi ynë në këtë fazë të emergjencës:
1. Angazhimi dhe organizimi nga shteti i mbi 500 inxhinierëve që kanë shprehur gatishmërinë për të kontribuar vullnetarisht, me qëllim përshpejtimin e vlerësimit të banesave.
2. Vlerësimi me urgjencë i banesave të dëmtuara dhe dëmeve të shkaktuara.
3. Qeveria, në kuadër të gjendjes së fatkeqësisë natyrore, të anulojë me efekt të menjëhershëm rreth 150 milionë dollarë të planifikuara për t’iu dhënë 10 oligarkëve dhe këto fonde t’u akordohen mijëra familjeve në nevojë, për riparimin dhe rindërtimin e banesave të dëmtuara apo të shkatërruara.

Artikulli paraprak“EKONOMIA” MIRATON PAKETËN FISKALE DHE FISKALIZIMIN, AHMETAJ: DUHET SIGURUAR BIZNESI QË S’DO KETË ASNJË KOSTO SHTESË
Artikulli tjetërSTAR SPORT – 02.12.2019