Gjykata e Apelit në Shkodër ndryshe nga administratori i Pultit Tom Marku ka vendosur masën e sigurisë “arrest shtëpie” për kryeplakun e fshatit Kir Ndue Kopshtaj.
31 vjeçari akuzohet për “shpërdorim detyre” për moskallëzim krimi në lidhje me disa parcela me cannabis sattiva në njësinë Pult të Dukagjinit. Avokati mbrojtës Bujar Hoti ka hedhur poshtë këto akuza duke thënë se kryeplaku Kopshtaj sipas ligjit nuk e ka për detyrë organizimin e punës por edhe kontrollet në territor për parcelat me cannabis sattiva. Sipas mbrojtjes kjo është një detyrë e përbashkët mes policisë dhe njësisë bazë të qeverisjes vendore që është bashkia ose qarku sipas legjislacionit. Nga ana tjetër prokuroria e apelit ka kërkuar për kryeplakun Kopshtaj lënien në fuqi të masës së sigurisë nga gjykata e shkallës së parë atë të “arrest me burg” për shkak se 31 vjeçari sipas organit të akuzës ka bërë “shpërdorim detyre” duke moskallëzuar për disa parcela me bimë narkotike. Në fund gjykata e apelit me relatore Hajrie Muçmataj vendosi që nga “arrest me burg” një masë lehtësuese “arrest shtëpie” me mbikqyrje elektronike. Më pas është zhvilluar seanca në apel edhe për shtetasin Nikolin Deda. Në banesën e këtij shtetasi policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale 1 kg e 660 gr lëndë narkotike të thatë. Mbi 29 vjeçarin rëndojnë akuzat “kultivim i bimëve narkotike” dhe “prodhim dhe shitje e narkotikëve”. Ndaj këtij shtetasi gjykata e apelit la në fuqi vendimin e shkallës së parë “arrest me burg” pa afat. Administratori i Pultit Tom Marku, kryeplaku i fshatit Kir Ndue Kopshtaj dhe shtetasi Nikolin Deda u ndaluan nga policia gjatë një aksioni për parcelat me cannabis në Pult të Dukagjinit. Administratori Marku u la i lirë një ditë më parë me “garanci pasurore”, kryeplaku Ndue Kopshtaj “arrest shtëpie” me mbikqyrje elektronike dhe shtetasi Nikolin Deda “arrest me burg” pa afat.