Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka pranuar kërkesën e autoriteteve ruse, duke lejuar ekstradimin e Igor Kokunov.Kokunov kishte kërkuar më herët që mos të ekstradohej drejt Rusisë.

VENDIMI

Referuar raportimeve në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Më datë 26.08.2023, në pikën e kalimit Kufitar Muriqan Shkodër, është arrestuar shtetasi rus me iniciale I. K. Ky shtetas është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol NCB Moskë, referuar vendimit penal administrativ dhënë nga Gjykata e Moskës më datë 18.02.2022. Gjykata ruse ka caktuar ndaj tij masën e sigurimit “arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Marrja e një pozicioni më të lartë në hierakinë kriminale”, parashikuar nga neni 210/1 i Kodit Penal i Republikës së Rusisë dhe dënimi maksimal i kësaj dispozite është 15 vjet burgim.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, ka zhvilluar gjykimin lidhur me lejimin e ekstradimit të shtetasit rus me iniciale I. K, për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, me vendimin nr. 578 (4901), datë 14.11.2023, ka vendosur:

1.Pranimin e kërkesës.
2.Lejimin e ekstradimit, të shtetasit I. K për efekt të zbatimit të vendimit penal administrativ “arrest në burg” dhënë nga Gjykata e Moskës me datë 18.02.2022.
3.Një kopje e këtij vendimi t’i komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë, nga personi nën hetim me iniciale I. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe refuzimin e ekstradimit në Federatën Ruse.

Në përfundim të gjykimit, sot më datë 20.03.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare znj. Lutfije Celami, vendosi:
-Lënien në fuqi të vendimit nr.578 (4901), dt.14.11.2023 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

-Një kopje e vendimit ti komunikohet Ministrisë së Drejtësisë së Republikës së Shqipërisë dhe Ambasadës së Federatës Ruse në Republikën e Shqipërisë.

Artikulli paraprakVRASJA E ARDIAN NIKULAJT, LIHET NË BURG SARAIVA, AVOKATI: DO TË APELOJMË VENDIMIN
Artikulli tjetër‘HARKU OPOZITAR EURO-ATLANTIK’, BASHA: KEMI GATI NJË PROGRAM PËR TË NDALUR SHPOPULLIMIN