Gjykata e Apelit në Shkodër ka liruar administratorin e Pultit Tom Marku i akuzuar për “shpërdorim detyre”, “kultivim të bimëve narkotike”, dhe “armëmbajtje pa leje e armëve të gjahut”.
Nga “arrest me burg” që vendosi shkalla e parë, gjykata e aplit lehtësoi masën e sigurisë në “garanci pasurore” duke bllokuar në një bankë të nivelit të dytë 10 milion lekë të vjetra të vëna në dispozicion nga familjarët e administratorit. Seanca me relatore Hajrie Muçmataj nisi me paraqitjen e disa provave të reja nga avokati Bujar Hoti se i akuzuari nuk ka banuar në ndërtesën ku është gjetur bimë e thatë cannabis dhe se nuk ka tokë bujqësore në Dukagjin të ndarë me ligjin 7501. Avokati Bujar Hoti në mbrojtjen që bëri tha se ndalimi, arrestimi dhe kontrolli në ndërtesën në Dukagjin janë në kundërshtim me ligjin. Sipas avokatit nuk rezulton asnjë provë për akuzat e ngritura sepse vetë prokuroria ka pranuar se banesa ku janë gjetur 4 bimë të thara cannabis është e braktisur prej shumë vitesh dhe se kryeplaku ka deklaruar se ajo banesë ka qenë e familjes Marku dhe jo administratorit. Brenda kësaj banese janë marrë gjurmë por nuk është bërë asnjë akt ekspertimi. Arma e gjahut është me leje në emër të vëllait të Tom Markut i cili prej shumë vitesh është në Itali duke bërë që detyrimet të ikin prej tij. Avokati Hoti tha se administratori Marku ka ngritur grupe pune për të mos kultivuar cannabis. Po ashtu shtoi se aksionet në bashkëpunim me policinë bëhen nga njësia bazë e qeverisjes vendore që sipas ligjit janë bashkitë dhe qarqet dhe jo administratorët. Administratorit tha avokati Hoti i është marrë si provë deklarimi i tij, duke iu referuar intervistës në “Star Plus” me argumentimin se jo vetëm se nuk ka raportuar por ka dhënë intervistë. Për këtë argumentim ndjej keqardhje për gjykatën e shkallës së parë se në asnjë rresht nuk përcaktohen se ku janë të provuara dhe të bazuara akuzat ndaj tij tha Hoti duke e cilësuar një tallje me të drejtat dhe liritë. Prokurori i apelit Brahim Dragjoshi tha se administratori Tom Marku ka abuzuar sepse ka deklaruar në intervistë duke iu referuar “Star Plus” se nuk kultiviohet cannabis në Pult. Gjyqtari Fuat Vjerdha e pyeti nëse akuza “shpërdorim detyre” është për deklaratën në media apo punën e tij? Prokurori tha se për të dyja ndërsa deklaratën në media e quajti një dizinformim. E vetmja fjali e administratorit ishte se ai vetë i ka treguar kryeplakut se banesa për të cilën akuzohet ka qenë e familjes së tij sepe kryeplaku nuk e ka ditur. Në fund gjykata e apelit vendosi lirimin e administratorit të Pultit Tom Marku me masën e sigurisë “garanci pasurore”.