Vllaznia ka nisur seancat stërvitore për vitin 2023 dhe në këto stërvitje të para disa futbollistë që priteshin për t’u larguar vijojnë që të jenë prezentë. Në këtë mënyrë sulmuesi Aralica i cili duket se është tashmë i padëshiruar në radhët e Vllaznisë nga stafi teknik dhe ai drejtues është paraqitur normalisht në stërvitje. Edhe pse sulmuesi e di fare mirë që nuk është më në planet e trajnerëve, ka dalë normalisht në stërvitje. Kjo tregon se sulmuesi kroat nuk e ka aspak në planet e tij që të largohet nga Vllaznia qoftë edhe më një marrëveshje dypalëshe siç ndodh zakonisht. Pavarësisht se mund të qëndrojë në stol Aralica të paktën deri më tani po refuzon që të largohet nga kuqeblutë për t’i hapur rrugën ndonjë sulmuesi tjetër.

Po ashtu edhe mesfushori shqiptar nga Mali i Zi Kristjan Vulaj ka vijuar normalisht stërvitjen me Vllazninë edhe në këto ditë të para të merkatos së janarit. Vulaj cilësohet si një prej lojtarëve më të paguar tek Vllaznia por mesfushori nuk ka gjetur hapësira për t’u aktivizuar në fushën e lojës duke mos qenë një preferencë e trajnerit Mirel Josa i cili disa herë është treguar i prerë duke treguar se nuk është një lojtar që mund t’i besojë formacionin. Pavarësisht se Vulaj ka qëndruar vetëm në stol ai është paraqitur në stërvitje normalisht dhe mesa duke po ashtu do të refuzojë që të largohet nga Vllaznia duke preferuar që të marrë pagën e majme që ka dhe të respektojë kontratën 3 vjeçare. Të paktën deri më tani Vulaj ka treguar se do vijojë të qëndrojë në Shkodër edhe pse nuk aktivizohet.

Në të njëjtat kushte është edhe boshnjaku i mesfushës Elvedin Heriç i cili nuk është preferencë e stafit teknik dhe për këtë arsye nuk ka gjetur hapësirat e duhura në fushën e lojës. Pavarësisht se Heriç është një prej futbollistëve që drejtuesit kanë dëshirë ta largojnë mesfushori ka udhëtuar drejt Shkodrës dhe do vijojë që të jetë pjesë e Vllaznisë duke refuzuar gjithashtu që të largohet nga kuqeblutë. Këto refuzime të Aralicës, Vulaj dhe Heriç bëjnë që drejtuesit të jenë në vështirësi për të sjellë futbollistë të tjerë në merkato, kryesisht sa i përket aspektit ekonomik. Nëse në ditët në vijim nuk gjendet akordi me këta lojtarë atëherë Vllaznia pritet që të ketë shumë pak ndryshime dhe pothuajse të jetë e njëjta skuadër edhe për pjesën e mbetur të sezonit.

 

Artikulli paraprakVIT I RI PREMTIME TË VJETRA NË RRUGËN ZOGAJ –SKJE
Artikulli tjetërPARASHIKIMI I METEOROLOGUT PËR JANARIN: JA KUR PRITEN RESHJET E BORËS NË SHQIPËRI