Me gëzimin e fitores të para 550 viteve kur Gjergj Kastrioti triumfoi në betejën e fundit në Krujë ndaj pushtuesve osman, 65 arbëreshë të Italisë kanë mbërritur në Shkodër për të festuar këtë fitore të Skenderbeut.
Me këngë, valle e kostume tradicionale të ruajtura në mbi 5 shekuj arbëreshët u pritën në Shkodër nga shqiptar të ardhur nga të gjitha trevat në manifestimin që mban emrin “Vallja e Fitores”. Noe Andreano kryetar i komunës Pulia në Itali, një arbëresh që nuk ka harruar të parët e tij shprehet se Shqipëria është vendi i zemrës. Nuk mund të flasë shumë shqip dhe apelin e tij Andreano e bën në gjuhën italiane.
“Me të vërtetë shqiptarët e kuptojnë italishten por është e mira që të ruajnë edhe gjuhën shqipe dhe për këtë duhet të punojnë edhe institucionet, qeveria shqiptare. Neve e shohim historinë tek ju këtu dhe ju duhet të mësoni nga ne nga ato që na kanë ngelur por edhe ne duhet që të mësojmë nga ju. Është e rëndësishme të jemi të bashkuar.
Si ka thënë Skenderbeu, bashkimi bën fuqinë, kështu duhet që të jemi të gjithë bashkë, të bashkuar që të na njohi Europa. Arbëreshët duhet që të njihen nga UNESCO duke qenë se ende nuk njihen”. Organizatorët e ardhjes së arbëreshëve në Shkodër ndjehen të lumtur për këtë aktivitet që zhvillohet për herë të parë.
“Vallja e Fitores” është trashëguar në më shumë se 5 shekuj tek arbëreshët dhe festohet çdo vit duke përkujtuar fitoren e ushtrisë të Skenderbeut në 24 prill të 1467-ës në betejën e fundit me osmanët teksa mesazhi i atij triumfi ishte “ndalni vajtimin për të rënët dhe shijoni gëzimin e fitores”. Arbëreshët kanë ndezur flakadanë në 5 kala shqiptare mes të cilave edhe në kalanë “Rozafa”.