Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, ka dolë sot para komisionit të vettingut, i vetëm dhe pa praninë e një avokati. Kryepolici Veliu ka deklaruar një apartament në Tiranë me vlerë 79 mijë euro i cili është në ndërtim e sipër, ndërsa ka shtuar se ka paguar deri më tani 37 mijë euro. Aktualisht, së bashku me bashkëshorten e tij, Veliu ka deklaruar se jeton në një shtëpi me qira në Tiranë.
Veliu ka deklaruar dhe një kredi 5 milionë lekë, dhe të ardhura familjare. Mbi këto të ardhura, ai ka deklaruar 750 mije lekë të depozituara. Ndërkohë ka edhe 5 mijë euro në bankë nga shitja e një automjeti.
Ndërkohë, bashkëshortja e tij ka deklaruar 2 milionë e 400 mije leke te dhuruara nga prindërit. Në deklaratën e prindërve të bashkëshortes së Veliut thuhet se shuma është dhuruar pas shitjes së një apartamenti në Vlorë. Sipas komisionit dhurimi është vlerësuar i ligjshëm.
Sipas komisionit të Jashtëm të Vlerësimit të efektivëve të policisë, ka përputhje të deklarimit të drejtorit të Policisë së Shtetit, me të dhënat e marra nga institucionet.
“Subjekti ka kryer deklarim të saktë në perputhje me ligjin. Nuk ka kryer deklarim të rremë dhe nu e ka fshehur pasurinë”, u shpreh komisioni.
Lidhur me kontrollin e figurës, sipas DSIK, Veliu është pajisur me certifikatë sigurie dhe nuk ka procedime penale për të. Nga verifikimet e kryera, nuk rezulton që drejtori i Përgjithshëm i Policisë të ketë qenë i dënuar apo i përfshirë në Sigurimin e Shtetit. KJV tha se Veliu ka plotësuar me vërtetësi formularin e pastërtisë së figurës dhe se nuk ka kontakte me persona me rekorde kriminale. Po ashtu në dosjen e tij nuk ka masa disiplinore.
Në vitin 2002 dhe 2003 dhe 2007 Ardi Veliu e ka ushtruar detyrën në Vlorë. Ka pasur informacione se ka qenë i lidhur me falsifikimin e vizave dhe ka favorizuar në kalimin e klandestineve.
Por në denoncime nuk janë gjetur prova që të vërtetojnë përfshirjen e tij, raportoi komisioni i Vlerësimit. Ndaj Veliut në Komisionin e Jashtëm të Vlerësimit ka pasur dy denoncime: Nga një person me argumentin se nuk ka mbajtur qëndrim korrekt në detyrë dhe një denoncim nga Sindikata e Punonjësve të Policisë.