Në fakt, biznesmeni i njohur shkodran, Ardit Kraja, kishte ardhur enkas nga Tirana për të zhvilluar një mbledhje me futbollistët e Vllaznisë, teksa i ka garantuar mbështetje maksimale financiare ekipit. Edhe më herët, biznesmeni ka mbështetur Vllazninë, por këtë rradhë ai është më afër se kurrë, duke shlyer jo pak, por tri paga të këtij klubi. Ky afrim i tij mund të bëjë që në një të ardhme të shpejtë Kraja të jetë edhe zyrtarisht një prej aksionerëve të Vllaznisë, bashkë me ndonjë biznesmen tjetër dashamirës të këtij ekipi. Poashtu, Kraja mësohet se ka dëshirë që duke shtuar këtë kontribut të tij, Vllaznia të arrijë të shpallet kampione, titull që mungon prej 23-vitesh.
Nga sa mësohet, përpara ndeshjes me Partizanin, ai pritet të shpërndajë për lojtarët disa paga, duke “ua ngrohur edhe më shumë xhepat” futbollistëve kuqeblu. Kjo gjë ka gëzuar dhe motivuar shumë lojtarët dhe stafin drejtues të Vllaznisë, që kanë falënderuar Krajën. Në fakt, të gjitha sfidat ndaj kryeqytetasve kanë qenë mjaft të zjarrta në fushë dhe prandaj, qëllimi i biznesmenit Kraja është i qartë që të gjithë futbollistët duhet të jenë të motivuar për ndeshjen ndaj Partizanit dhe ta kryejnë më së miri punën e tyre në fushën e blertë. Kërkesa është që ndaj Partizanit duhet të tregojnë sesa vlejnë, pasi forcat maten me një rival direkt në synimet që Vllaznia ka në kampionat. Po ashtu, nga sa mësohet, biznesmeni shkodran ka premtuar shpërblime për ekipin kuqeblu deri në fund të sezonit.
Në fakt, Kraja ka disa kohë që është i interesuar për ecurinë e skuadrës së Vllaznisë, teksa edhe këtë sezon futbollistik, pas ndeshjeve të fituara me Partizanin, Egnatian, Teutën dhe Bylisin ka shpërndarë premio të majme për futbollistët. Një gjest për t’u vlerësuar i këtij biznesmeni që në 10-vitet e fundit i është gjendur gjithnjë pranë ekipit me mbështetjen e tij, por edhe me shpërblimet dhe premiot e dhëna herë pas here. Në këtë mënyrë, Kraja tregon edhe njëherë tjetër se është pranë skuadrës së tij të zemrës sa i takon financave. Ndërkohë, sa i takon përgatitjeve për sfidën me Partizanin, skuadra e Vllaznisë vijon seancat stërvitore, teksa objektivi i vetëm i kuqebluve në përballjen e së shtunës në Shkodër janë tre pikët.