Ardit Krymi është futbollisti më i ri i skuadrës së Vllaznisë. Futbollisti shkodran, që luan si mesfushor përpara mbrojtjes, ka firmosur për ekipin kuqeblu dhe zyrtarisht tashmë mund të quhet pjesë e Vllaznisë.
Tashmë e “zeza mbi të bardhën” është hedhur, teksa në orët në vijim pritet të zyrtarizohet edhe nga vetë klubi i Vllaznisë kjo marrëveshje. Krymi ka firmosur për dy vite me klubin kuqeblu dhe tashmë, duke nisur nga seanca e rradhës stërvitore, mesfushori shkodran do të vendoset në dispozicion të trajnerit Migen Memelli.
Megjithatë, edhe pse firma e tij është hedhur me Vllazninë, Krymi nuk do të mund ta ndihmojë ekipin kuqeblu në ndeshjen e dytë të turit të parë të Conference League kundër skuadrës irlandezo-veriore, Linfield. Kujtojmë këtu se, Krymi është një futbollist i rritur dhe i zhvilluar tek Akademia Vllaznia dhe tashmë, destinacioni i rradhës për karrierën e mesfushorit shkatërrues do të jetë rikthimi tek ekipi i tij i zemrës.
Tek mesfushori, tifozët shkodranë shohin një lider që mund ta udhëheqë skuadrën ashtu siç i ka hije. Në fakt, pavarësisht ofertave të shumta që ka pasur, ai vendosi të rikthehet tek skuadra e tij e zemrës. Kështu, duket se Vllaznia pak nga pak po merr formën e duhur për sezonin e ri, pavarësisht se të gjithë po e shohin me kureshtje, por edhe me dyshim këtë skuadër. Megjithatë, nga sa mësohet, drejtuesit duket se ende po kërkojnë edhe një element tjetër për këtë repart.