Armand Duka është zgjedhur për mandatin e tij të pestë si president i FSHF-së me 38 vota në favor. Fino ka marrë 24 vota, ndërsa 3 vota ishin të pavlefshme. Duka ka triumfuar ndaj Bashkim Finos në raundin e dytë të votimit, teksa rivali tjetër, Shpëtim Hala, është skualifikuar që në raundin e parë, sepse nuk ka marrë dot asnjë votë.
Njëri pas tjetrit, delegatët e asamblesë me të drejtë vote kanë sigluar “presidentin” e tyre, duke e hedhur fletën në kutinë përkatëse. Votimi ka qenë i fshehtë dhe është udhëzuar paraprakisht nga disa këshilla, se kur ai është i vlefshëm dhe kur jo. Kjo kishte të bënte me shenjën që duhej vendosur brenda kuadratit përkatës në fletën e votimit. Disa prej këtyre shenjave ishin të kontestueshme në raundin e parë, sepse linin të kuptonin identifikimin e personit përkatës, por komisioni ka vlerësuar të pavlefshme vetëm 4 prej tyre. Duhet thënë se kanë votuar edhe shoqatat e kontestuara si të paligjshme nga Bashkim Fino. 65 delegatë kanë votuar, nga 66 në total, sepse Bilisht Sporti nuk u pranua, pasi e dorëzoi emrin e delegatit të vet një ditë me vonesë. Në raundin e parë dolën 12 vota të diskutueshme. Armand Duka ka marrë 39 vota, ndërsa Bashkim Fino 22 vota. 4 vota nga komisioni janë konsideruar të pavlefshme. Pra, nuk ka fitues në këtë raund, që kërkonte fitues me 43 vota. Raundi i dytë kërkon 50+1 për qind të votave dhe në bazë të rezultatit të raundit të parë, dukej qartë se Duka ka një diferencë të dukshme votash. 12 shoqatat e kontestuara si “fantazmë” nga Fino, shto edhe katër votat e pavlefshme, nuk duken përcaktuese në këtë rast, sepse e tillë është diferenca mes dy kandidatëve në raundin e parë (39-22). E njëjta skemë votimi, ku secili delegati në Asamblenë e Përgjithshme ka marrë fletën dhe ka shënuar të preferuarin e vet për president të FSHF-së.
Duke qenë se tashmë dihej se nga anonte dukshëm fituesi, Duka ka qenë i qetë për rezultatin, sepse tashmë i nevojiteshin vetëm 33 vota nga 65 në total. Pas përfundimit të numërimit nga komisioni përkatës, ka rezultuar që Armand Duka është fituesi dhe presidenti i ri i FSHF-së, me 38 vota, ndërkohë që Bashkim Fino rezulton humbës, me 24 vota të marra nga delegatët e kësaj asambleje, e cila u zhvillua nën masa të rrepta sigurie në hotel “Adriatik”, në Durrës. Tri vota kanë rezultuar të pavlefshme.