Presidenti i FSHF, Armando Duka, ka zhvilluar një takim me Kryetarin e Bashkisë Shkodër, Benet Beci. Në këtë takim u diskutua në lidhje me bashkëpunimin për zhvillimin e futbollit dhe projekte të rëndësishme infrastrukturore. Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Kryetari i Shoqatës Rajonale të Futbollit në Shkodër, Lazër Matija, presidenti i Vllaznisë, Alban Xhaferi, si edhe përfaqësues të tjerë të FSHF dhe të klubit kuqeblu. Një nga çështjet më të rëndësishme të diskutuara në këtë takim ishte menaxhimi i stadiumit “Loro Boriçi” dhe gjetja e një formule sa më të përshtatshme mes Bashkisë dhe klubit Vllaznia, në mënyrë që impianti të jetë sa më funksional dhe në efiçiencë të plotë. Poashtu, gjatë takimit u shqyrtua edhe projekti që ka klubi i Vllaznisë për të ndërtuar një kompleks sportiv modern, që mund t’i japë hov të madh zhvillimit të futbollit në qytetin e Shkodrës.

Kryebashkiaku Beci u shpreh i gatshëm që këtij projekti t’i vendoset në dispozicion trualli në ish-Uzinën e Telave, që konsiston në ndërtimin e një kompleksi sportiv, ku përfshihen të paktën pesë fusha me përmasa standarte, që do të shërbejnë për stërvitjen e ekipeve të Vllaznisë dhe organizimin e kampionateve të moshave, duke ofruar një infrastrukturë moderne. Nga ana tjetër, edhe presidenti i FSHF, Armando Duka theksoi se Federata është e gatshme ta mbështesë këtë projekt, duke ofruar financimin e saj dhe ndërtimin e fushave, teksa Duka kërkoi edhe arritjen e një marrëveshje brenda një kohe sa më të shpejtë për nisjen e punimeve.

Ndërkohë, në këtë investim, klubi i Vllaznisë pritet të marrë përsipër infrastrukturën mbështetëse. Vitin që vjen pritet fillimi i punimeve për këtë kompleks sportiv, teksa përfundimi i tij pritet të bëhet në pak muaj, pasi duhet të jetë gati për finalet e Kampionatit Europian 2025 për moshën U-17 që do të zhvillohet në Shqipëri, ku siç dihet edhe stadiumi “Loro Boriçi” do të presë disa ndeshje të këtij kompeticioni të rëndësishëm.

https://youtu.be/hfq_p6hlGj8

Artikulli paraprakSHENKOLLI U-16 NË VENDIN E PARË
Artikulli tjetërDROGA NË SHKOLLA, SENSIBILIZIM INSTITUCIONEVE