Vendimi i Shteteve të Bashkuara për të autorizuar sulmet me rreze të gjatë veprimi mund ta ndihmojë Ukrainën të mbrojë territorin në rajonin e Kurskut të Rusisë, marrja e të cilit mund të shërbejë si një ndihmë në negociatat e mundshme për përfundimin e luftës. Por, analistët thonë se vendimi mund të jetë marrë tepër vonë për të ndryshuar rrjedhën e luftës. Dy muaj përpara largimit nga detyra, Presidenti Joe Biden hoqi disa kufizime që nuk ia lejonin Kievit përdorimin e armëve të dërguara nga Shtetet e Bashkuara për sulme më në brendësi të territorit rus. Sipas agjencisë së lajmeve Reuters, autorizimi i dhënë të dielën është një ndryshim i madh i politikës amerikane. Analistët ushtarakë thanë se ndikimi në fushën e betejës, ku Ukraina ka qenë në disavantazh për muaj të tërë, mund të varet nga kufizimet që do të vazhdojnë të jenë në fuqi. Por ndërsa ndryshimi mund të mbështesë operacionin në Kursk, nuk ka gjasa të shërbejë për një ndryshim të realitetit në tërësi.
“Vendimi vjen me vonesë dhe si vendimet e tjera në këtë drejtim, mund të jetë tepër vonë për të ndryshuar rrënjësisht rrjedhën e luftimeve”, tha Michael Kofman, studiues në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare në Uashington.
“Sulmet me rreze të gjatë ishin gjithmonë një pjesë e enigmës dhe pati pritshmëri të mbingarkuara për rolin e tyre në këtë luftë”.
Gjithashtu nuk ka asnjë mënyrë për të ditur se sa do të zgjasë politika e re. Ndryshimi u kritikua nga Richard Grenell, një nga këshilltarët më të afërt për politikën e jashtme të Presidentit të zgjedhur Donald Trump, i cili do ta marrë detyrën nga Presidenti Biden më 20 janar. Zoti Trump ka kritikuar prej kohësh shkallën e ndihmave amerikane për Kievin dhe është zotuar se do t’i japë fund luftës me shpejtësi, por pa shtjelluar se si do ta realizojë këtë. Një zëdhënës i Presidentit të zgjedhur Trump nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Ukraina e ka kërkuar këtë ndryshim për muaj të tërë, duke argumentuar se pamundësia për të goditur zonat brenda Rusisë, dhe në veçanti bazat ajrore ushtarake, ku gjenden avionët luftarakë të përfshirë në sulmet në Ukrainë, ishte një pengesë e madhe. Forcat ruse janë hedhur në sulm për mbi një vit dhe kanë përparuar me ritmin e tyre më të shpejtë që nga viti 2022 në Ukrainën lindore dhe kanë ushtruar trysni në verilindje dhe juglindje.
Rusia thotë se Ukraina nuk mundet të lëshojë raketa drejt objektivave brenda Rusisë pa ndihmën e drejtpërdrejtë nga vendet e NATO-s, duke e quajtur këtë një përshkallëzim të madh. Të hënën, Kremlini tha se një vendim i tillë do të nënkuptonte se Shtetet e Bashkuara ishin të përfshira drejtpërdrejt në konflikt. Sulmet e para ukrainase mund të ndodhin në ditët në vijim dhe ka të ngjarë të kryhen duke përdorur raketat ATACMS, të cilat kanë një rreze veprimi deri në 306 km, njoftoi agjencia e lajmeve Reuters. Një zyrtar i mbrojtjes nga një vend i Evropës Qendrore i tha agjencisë së lajmeve Reuters se sulmet do t’i jepnin Kievit një shans më të madh për t’u mbrojtur nga sulmet ajrore, por nuk do ta ndryshonin me vendosmëri konfliktin në favor të Ukrainës. Rusia i ka zhvendosur tashmë shumë nga mjetet ajrore përtej rrezes së armatimeve perëndimore në Ukrainë, tha zyrtari, megjithëse rrezja do të mbulonte territore përtej zonës së Kurskut, të marrë nga Ukraina. Ministri i Jashtëm lituanez Gabrielius Landsbergis tha se ai “nuk po e hapte ende shampanjën” pasi nuk dihej se sa raketa kishin ukrainasit dhe nëse ato mjaftojnë për të ndikuar në fushëbetejë.
Vendimi për të autorizuar sulmet vetëm pas kërkesave disamujore ukrainase ndjek një model të përsëritur gjatë gjithë luftës, ndërsa administrata e Presidentit Biden u përpoq të balanconte mbështetjen e saj për Ukrainën, me shqetësimet për përshkallëzimin. Më parë, Uashingtoni hezitoi për muaj të tërë përpara se të miratonte dërgimin në Ukrainë të raketave me rreze të gjatë, tankeve dhe avionëve. Disa analistë ushtarakë thonë se vonesa të tilla i dhanë Moskës kohë për t’u rikuperuar nga dështimet fillestare dhe për të përforcuar mbrojtjen e territorit të pushtuar, duke kontribuar në dështimin e një kundërofensive të madhe ukrainase vitin e kaluar.