Në vijim të operacioneve për goditjen e paligjshmërive në çfarëdo forme të shfaqjes së tyre, shërbimet e Policisë së Lezhës, të mbështetura dhe nga inteligjenca informative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Muzgu”.
Si rezultat i të cilit në rrugën dytësore për në Ishull-Shëngjin, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar dhe kanë ndaluar për kontroll, automjetin tip “Golf”, me drejtues shtetasin Xhovani Ivanaj dhe me pasagjerë, shtetasit Besmir Rama dhe G. U. Në momentin e ndalimit, shtetasi Besmir Rama ka tentuar të largohet, por është kapur dhe neutralizuar menjëherë nga shërbimet e Policisë, të cilat i gjetën në tokë, të mbuluar me trup, një armë zjarri pistoletë, me fishekë në të. Në vijim, gjatë kontrollit të imtësishëm në automjetin me të cilin lëviznin këta shtetas, u gjet edhe një sasi municioni luftarak.
Policia ka ushtruar kontroll edhe në banesat e të arrestuarve, ku në një automjet të parkuar brenda rrethimit të banesës së shtetasit Xhovani Ivanaj u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis.
Në përfundim të veprimeve hetimore në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan në flagrancë shtetasit Besmir Rama 30 vjeç, banues në Shëngjin, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe Xhovani Ivanaj 32 vjeç, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin G. U., 20 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi dyshohet se duke patur dijeni për veprimtaritë kriminale të shtetasve të arrestuar, nuk ka kallëzuar.
Gjithashtu, automjeti me të cilin udhëtonin të 3 shtetasit, ishte në pronësi të një të afërmi të tij.Në cilësinë e proves materiale u sekuestruan 1 armë zjarri pistoletë, një sasi lënde e dyshuar narkotike kanabis, municion luftarak dhe 2 automjete.