Mbi 600 policë kontrollojnë natën burgun në Romë, nga u arratisën tre shqiptarët. Gjenden sharra dhe kaçavida

Në burgun “Rebibbia” në kryeqytetin Italian Romë, gjatë natës është kryer një kontroll, në të cilin kanë marrë pjesë 620 efektivë të policisë së burgjeve. Muajin e shkuar, nga burgu Rebibbia janë arratisur të dënuar tre shqiptarë: Basho Tesi, 35-vjeç, i cili është dënuar me burgim përjetë pasi ka vrarë një çift rumunësh pas një sherri banal. Ndërsa, dy të tjerët janë: Ilir Pere dhe Mikel Hasanbelli, të cilët ishin duke vuajtur dënime për trafik droge dhe shfrytëzim prostitucioni. Operacioni nisi në tre dhe përfundoi në shtatë të mëngjesit të sotëm. Lista e objekteve të ndaluara në burgje, si sharra dhe kaçavida, do të dërgohen te Autoriteti Gjyqësor. Siç raportojnë mediat italiane, në këtë institucion janë të burgosur 192 persona mbi kapacitetin. Arratisja e shqiptarëve Pasi sharruan hekurat e qelisë, 3 shqiptarët kanë përdorur çarçafë si litarë, për të zbritur në rrugë. Në krevatet e tyre ata kanë vendosur kartona të mbuluar me batanije si gjurmë të trupave të tyre të shtrira, në mënyrë që mos të shkaktohej menjëherë alarmi i mungesës së tyre. Ndërsa në hekurat e sharruar të qelisë kanë varur një bluzë për të fshehur të çarën. Shqiptarët mund të kenë përfituar nga kaosi që u krijua, pasi pas tërmetit në burgun e Romës, u transferuan të burgosurit e burgut Camerino.

Artikulli paraprakPARANDALOHET GRABITJA,PRANGOSET SHQIPTARI
Artikulli tjetërVLAHUTIN:PROGRESI I ARRITUR,KE I JEP 14 MILIONE EURO BUXHETIT SHQIPTAR