Gjykata e shkallës së parë në Shkodër ka dhënë masën e sigurisë “Arrest me Burg” për dy djemtë e ish-prefektit Paulin Radovani. Kështu shtetasit Robert Radovani dhe Elton Radovani, janë lënë në “arrest me burg”, masë e cila u dha në mungesë.
Të dy këta shtetas akuzohen për mashtrim. Nga ana tjetër gjykata e shkallës së parë dha masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për ish-prefektin Paulin Radovani si dhe vendosi që ish-prefekti të mos largohet nga Shqipëria. Seanca në gjykatën e shkallës së parë është zhvilluar me 25 mars.
Është vetë prokuroria e rrethit gjyqësor në Shkodër ajo e cila ka hapur një hetim kryesisht ndaj dy djemve të ish-prefektit Radovani dhe vetë Paulin Radovanit. Ky procedim ka nisur pas operacionit “Maranaj” ku policia arrestoi 12 shtetas dhe shpalli në kërkim 3 të tjerë si të dyshuar të përfshirë në një skemë fajdesh me familjen Radovani.
Është vetë ish-prefekti Radovani ai i cili denoncoi në total 22 shtetas prej të cilëve për 15 u dha masa e sigurisë “arrest me burg” dhe për të tjerët masa lehtësuese. Pas dy muajsh përgjimesh nga ana e ish-prefektit qoftë telefonike por edhe ambjentale me këta persona dhe pas denoncimit nga ana e tij erdhën arrestimet.
Shtetasit e arrestuar dyshohen për dhënie huaje në mënyrë të jashtëligjshme ose siç quhen fajde. 12 të arrestuarit gjatë seancës për rivlerësim pranuan se i kanë dhënë para ish-prefektit dhe dy djemve të tij por në formë borxhi dhe jo me fajde ndërsa disa prej të arrestuarve kanë rolin e ndërmjetësit ndërsa të tjerë kanë hyrë garant duke patur lidhje miqësore apo shoqërore me dy djemtë dhe vetë ish-prefektin.
Vetë shtetasi Paulin Radovani ka pranuar se dy djemtë e tij kanë marrë para borxh ndaj personave të ndryshëm dhe ai borxh për pjesën më të madhe nuk është kthyer më duke bërë që prokuroria të ngrejë akuzën e mashtrimit për ish-prefektin dhe dy djemtë e tij.
Robert dhe Elton Radovani pak ditë para se të bëheshin arrestimet janë larguar nga Shqipëria duke u arratisur dhe askush nuk e di se ku ndodhen duke bërë që masa e sigurisë ndaj tyre të jepet në mungesë. Nga ana tjetër prokuroria vijon hetimet për këtë çështje ndërsa borxhi i familjes Radovani në afro 3 vite përllogaritet në rreth 13 milion euro.