Kjo është Orjana Gremi, 32 vjeçarja nga Shkodra e cila mbyti foshnjen e saj duke e lënë të ujërat e lumit Kir.
Gjykata e Shkallës së Parë në Shkodër e la me masën e sigurisë “arrest me burg” shtetasen Orjana Gremi. 32 vjeçarja nuk bëri asnjë deklaratë në gjykatë ndërsa u shfaq e rënduar psikologjikisht. Për shkak të gjendjes së rënduar, Gremi do t’i nënshtrohet një ekspertimi psikologjik. Prokuroria e Shkodrës e ndryshoi veprën penale në “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” ndërsa policia e kishte sjellë me veprën penale “vrasje me dashje”.
Me veprën penale të ngritur nga prokuroria Orjana Gremi rrezikon të dënohet 25 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Fillimisht 32 vjeçarja nuk kishte avokat mbrojtës ndërsa gjykata caktoi avokatin kryesisht Bruno Pepa. Avokati kërkoi ndryshimin e veprës penale nga “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në “vrasje e të miturve” pasi parashikon një dënim më të lehtë. Gjyqtari Orgent Nazaj e refuzoi këtë kërkesë duke pranuar atë të prokurores Françeska Lekani.
Pas seancës për masën e sigurisë ku gjykata vendosi “arrest me burg” pa afat shtetasja Orjana Gremi është dërguar në paraburgim në burgun e grave dhe vajzave në Tiranë deri sa të zhvillohen seancat e tjera dhe të njihet më pas me vendimin përfundimtar të gjykatës. Orjana Gremi doli nga spitali rajonal i Shkodrës më 4 janar pasi lindi djalin e saj duke mbyllur dokumentacionin përkatës. Më pas 32 vjeçarja ka tentuar që ta lërë foshnjen në shtëpinë e foshnjes 0-3 vjeç në Shkodër por në momentin e fundit është penduar duke vendosur ta mbajë.
Dy ditë pasi ka dalë nga spitali, më 6 janar ka shkuar në ujërat e lumit Kir duke e lënë aty foshnjen e porsalindur që u gjet i pajetë nga forcat e policisë. Efektivët u njoftuan nga një murgeshë për ngjarjen e rëndë duke bërë më pas arrestimin e 32 vjeçares që mbyti djalin e porsalindur. Orjana Gremi jetonte tek daja në fshatin Golem të njësisë Rrethina ndërsa prej vitesh nuk kishte komunikim me prindërit e saj që e kanë braktisur që në moshën 1 vjeçe. Fillimisht në polici Orjana Gremi deklaroi se nuk ka mundur ta mbajë foshnjen e saj për shkak të gjendjes ekonomike duke vendosur ta lërë në ujërat e lumit Kir, pohim që e ka bërë në një shok psikologjik. 32 vjeçarja prej afro 7 vitesh punonte në një prej fasonerive në Shkodër.