Gjykata e Shkodrës ka vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit Flamur Bega, Hilmi Isufaj dhe Shkëlzen Metaliaj që akuzohen për 6 mina me telekomandë në largësi, dy pistoleta dhe një pushkë snajper ndërsa çështja ndaj këtyre shtetasve i ka kaluar gjykatës së krimeve të rënda.

Seanca gjyqësore ndaj tre të akuzuarve me kërkesë të prokurorit është zhvilluar me dyer të mbyllura për të mos cënuar privatsinë e agjentit që ka qenë i infiltruar në këtë ngjarje. Gjyqtari Andri Ymeri ka pranuar kërkesën e prokurorit dhe seanca është zhvilluar me dyer të mbyllura. Për tre të akuzuarit masa e sigurisë është dhënë veçmas për secilin. I pari ka qenë Flamur Bega që ka dalë përpara gjykatës teksa ka pranuar se arme e tipit pushkë snajper e gjendur në njërin prej mjeteve ka qenë e tija. Begaj ka sqaruar se është shtyrë dhe nxitur nga agjenti i policisë për t’i dërguar atij sa më shumë armë për tregti. Begaj ka deklaruar se pushkën snajper kishte 10 vite që e mbante në shtëpi dhe se nuk e ka përdorur asnjëherë ndaj edhe ka vendosur që t’ia shesë këtij personi që rezulton të jetë agjenti i infiltruar. Për minat me telekomandë dhe pistoletat Bega ka deklaruar se nuk ka dijeni. I dyti që ka dalë përpara gjykatës është Shkëlzen Metaliaj i cili ka deklaruar se atij dy shtetasit e tjerë që akuzohen thjeshtë i kanë kërkuar makinën e tij për një nevojë të tyren dhe se ka pranuar t’ia japë por duke thënë se nuk ka asnjë lidhje me çfarë është gjetur nga policia dhe se në momentin e arrestimit ka qenë në shtëpinë e tij pa patur asnjë dijeni se për çfarë është arrestuar. Hilmi Isufaj, i sapo dalë nga burgu pasi kishte kryer një tjetër dënim për tre mina dhe raketa të tipit “Strela 2” ka deklaruar se po ashtu është nxitur nga agjenti i infiltruar por pa ditur se për kë ishte kjo porosi dhe se për çfarë do të përdoreshin minat e telekomanduara. Pas masës së sigurisë “arrest me burg” tashmë çështja i kalon gjykatës së krimeve të rënda.

Artikulli paraprak“FORMIMI PROFESIONAL DHE PUNESIMI PER PERSONAT ME AFTESI TE KUFIZUAR”
Artikulli tjetërTASHMË MUND TË POSTONI VIDEO 60 SEKONDA NË INSTAGRAM