Gjykata e shkallës së parë për krime të rënda la në “arrest shtëpie” avokatin e Shkodrës Gjon Lepuri pas një hetimi 5-mujor në ngarkim të tij.
Një njoftim zyrtar i policisë vendore të Shkodrës bëri me dije se avokati Gjon Lepuri, avokat pranë dhomës së avokatisë në Shkodër është lënë në “arrest shtëpie” nga gjykata e shkallës së parë për krime të rënda në Tiranë në 8 prill të këtij viti. Burime për “Star Plus” pranë prokurorisë dhe gjykatës së Shkodrës kanë dhënë detaje të reja mbi arsyet e vendimit të gjykatës së shkallës së parë për krimet e rënda e cila vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Gjon Lepurin.
Sipas burimeve bëhet fjalë për një video që ka regjistruar një shtetas në Shkodër të cilin e mbronte në gjykatë avokati Gjon Lepuri, pra e kishte klient të tij. Sipas burimeve bëhet fjalë për një divorc të një çifti dhe një konflikti mes dy prindërve për kujdestarinë e fëmijëve. Babai i fëmijëve ka kërkuar që të marrë kujdestarinë dhe çështjen në gjykatën e Shkodrës e ka ndjekur me avokatin Gjon Lepuri. Pasi është dhënë një vendim që fëmijët duhet t’i mbajë nëna, avokati ka dorëzuar një akt duke supozuar se ka prova të reja dhe duke kërkuar që ta rihapë çështjen. Gjyqtari Andri Ymeri sipas burimeve brenda gjykatës ka kthyer mbrapsht aktet për shkak se nuk plotësoheshin kriteret.
Klienti i avokatit Gjon Lepuri është ulur për të biseduar me të dhe gjatë kësaj bisede ka bërë një regjistrim video ku sipas burimeve avokati i është shprehur klientit të tij duke i thënë se “kam paguar para për gjyqtarin dhe prokurorin” për ta rihapur çështjen por nuk është bërë asgjë. E gjithë biseda e regjistruar është dorëzuar në prokurori duke u denoncuar nga shtetasi në fjalë dhe më pas ka nisur edhe hetimi që ka zgjatur për afro 5-muaj. Tashmë pritet se cili do të jetë vendimi i radhës për avokatin e Shkodrës Gjon Lepuri i cili akuzohet për “korrupsion aktiv ndaj gjyqtarit dhe prokurorit”.