Drejtori i hipotekës Shkëlzen Berisha nuk do të qëndrojë më në dhomat e paraburgimit.

Gjykata e shkallës së parë në Shkodër e quajti të paligjshëm ndalimin e tij e ndërsa vendosi masën lehtësuese “arrest shtëpie”. Mbi drejtorin e hipotekës së Shkodrës Shkëlzen Berisha rëndonin dy akuza “shpërdorim detyre në bashkëpunim” dhe “kallëzim i rremë” për një tokë në fshatin të Thethit me rreth 8 mijë m/2. Prokuroria bëri të ditur se drejtori Berisha në bashkëpunim me dy punonjësit e tjerë të hipotekës Spartak Haxhija dhe Taulant Bejko kanë regjistruar pronën në Theth në emër të një personi që nuk kishte aplikuar fare. Shtetasi Gjin Logu ka tentuar të përfitojë tokën edhe pse nuk ka patur asnjë dokument përveç një vetëdeklarimi në komunën e Shalës në 2008-ën dhe aktin e marrjes në pronësi të vitit 1995 por për 683 metër katror dhe jo 8 mijë metër katror. Edhe pse ky shtetas nuk ka aplikuar dhe nuk ka patur dokumentacionin e nevojshëm i është lëshuar çertefikata e pronësisë. Një tjetër shtetas nga Thethi, Lekë Nishta më parë kishte aplikuar për të njëjtën tokë duke pretenduar se e përfiton me ligjin 7501 por praktika e tij nuk kishte avancuar më tej. Është takuar me drejtorin Berisha dhe ky i fundit ka biseduar me dy specialistët Haxhija dhe Bejko të cilët ishin marrë me këtë dosje. Aty më pas ka parë edhe shkeljet e bëra por edhe pse praktika kishte shkelje, drejtori Berisha kishte lëshuar çertefikatën e pronësisë për shtetasin Gjin Logu. Në këtë moment kreu i hipotekës deklaroi se ka vënë në dijeni ministrin e drejtësisë Ylli Manjani i cili ka bërë shkarkimin e menjëhershëm e më pas ka nisur edhe ndjekja penale për ta. Prokuroria kërkoi “arrest me burg” sepse pretendohet se drejtori Berisha jo vetëm ka patur dijeni por sipas juristit Bejko edhe ka urdhëruar këtë të fundit edhe pse nuk ishte ajo detyra e juristit por dosjet që vinin nga ALUIZNI. Po ashtu organi i akuzës cilësoi se i ndaluari është munduar t’i shmanget përgjegjësive penale. Të gjitha këto janë kundërshtuar nga avokati mbrojtës Ilir Golemi dhe vetë drejtori i hipotekës. Sipas avokatit ka qenë vetë i ndaluari që ka bërë kallëzim penal në prokurori për këtë çështje edhe pse kishte tre javë si drejtor dhe “shpërdorim detyre në bashkëpunim” bie poshtë. As akuza tjetër “kallëzim i rremë” nuk ekziston sepse dy specialistët sipas mbrojtjes po ndiqen penalisht dhe janë nën hetim. Në këto kushte avokati kërkoi lirimin e të ndaluarit sepse nuk përbën rrezik për t’u larguar nga Shqipëria ndërkohë që ka edhe probleme shëndetësore sepse para një viti ka pësuar atak kardiak si dhe kërkoi vlerësimin të paligjshëm të ndalimit të tij. Vetë drejtori Berisha tha se ka bërë kallëzim penal kur ka arritur të shoh shkeljet për tokën në Theth por ka lëshuar çertefikatën e pronësisë për shtetasin Gjin Logu sepse nuk ka patur mjaftueshëm dijeni për atë dosje ndërsa është kthyer në Shqipëri menjëherë kur ka marrë vesh për këto procedura sepse ndodhej jashtë shtetit. Po ashtu kreu i hipotekës tha se nuk kam urdhëruar askënd për punë që nuk mund të bëhen ndërsa deklaroi se fryma në hipotekë në këto 3 muaj të drejtimit nga ana e tij ka ndryshuar pozitivisht dhe këtë e dinë edhe qytetarët e Shkodrës. Pas kërkesave të prokurorisë dhe avokatit, gjykata vendosi vlerësimin të paligjshëm për ndalimin e drejtori të hipotekës Shkëlzen Berisha dhe një masë lehtësuese “arrest shtëpie”.

Artikulli paraprakRAMA: KUSH NUK MIRATON REFORMEN NE DREJTESI, DO TA PESOJE NE VOTIME
Artikulli tjetërKANALI MBUSHET ME PLEHRA, BANORËT: JANË HEQUR KOSHAT