Kleriku Fetullah Gulen ka komentuar për herë të parë arrestimet dhe deportimet e njerëzve të tij nga Kosova gjatë një operacioni që u zhvillua të enjten e kaluar nga Shërbimi sekret turk, i asistuar edhe nga pala kosovare.
Në një intervistë, Gulen e ka quajtur banditeske mënyrën e kapjes së gylenistëve.
“Banditët po rrëmbejnë njerëz në Kosovë. Dhe kur po them banditë, dikujt mund t’i duket si diçka e lehtë. Ky është banditizëm i pastër.
Siç është rrëmbimi në Pakistan, banditëzm i pastër. Në Myanmar është banditizëm i pastër. Më pas diku vrasje, diku lënie pa zot në mal. Këto të gjitha i kanë bërë. Këto veprime nuk i kanë bërë as tradhtarët që kanë pushtuar Stambollin në të kaluarën”.
Imami i cili për shkak të konfliktit me Erdogan ndodhet në ekzil në SHBA nuk e ka përmendur rivalin e tij Erdogan i cili po e lufton ashpër nën akuzat se është pikërisht Gulen ai që qëndron prapa pucit të vitit 2014.
Po ashtu Gulen nuk ka thënë ndonjë fjalë të ashpër ndaj Kosovës për dallim nga familjet e gylenistëve, të cilat sot thanë se Kosova veproi si një shtet vasal.