Pas akuzave të një politikani zviceran, “zbuluesi” i famshëm ose famëkeq i një shtëpie fantazëm krimesh kundër njerëzimit, e njohur si “Shtëpia e Verdhë”, qarqe të ndryshme ndërkombëtare patën idenë e ngritjes së një Tribunali krejt Special. Jo për Serbinë si agresore, por për Kosovën që ishte viktima e agresionit barbar të regjimit të Millosheviçit! Pse?!

Historikisht e moralisht po se po, por edhe juridikisht ideja dukej qysh në fillim jo thjesht tendencioze, po kundërproduktive. Aq më tepër kur, shqiptarët e Kosovës janë shfaqur qysh në krye të herës pro bashkëpunimit me drejtësinë ndërkombëtare, në zbardhjen e anomalive të mundshme gjatë luftës në mbrojtje të lirive e të të drejtave të tyre legjitime. Sot, në dritën e asaj çka po ndodh me Ramush Haradinajn në Francë, duhet kujtuar se të gjithë ata që janë thirrur nga Prishtina në Hagë, i janë nënshtruar procesit pa as më të voglën rezistencë. Dhe e kanë fituar me kosto të lartë vitesh e sakrifikash pafajësinë e tyre.

Nga ana tjetër, duke mos pasur kurrëfarë kompetencash të tyret në këtë drejtim, udhëheqësit apo institucionet e Kosovës, as që kanë mundur të veprojnë vetë në kërkim të «Shtëpisë së Verdhë». E cila, për më tepër, nuk bie në juridiksionin e Kosovës por Shqipërisë që, nga ana e saj, ka mbështetur çdo kërkesë e përpjekje të atyre që duhet të merreshin me atë punë. Përkatësisht, UNMIK-u dhe EULEX-i e kanë bërë atë punë. Ose nuk e kanë bërë.

Apo, sidoqoftë, nuk e kanë bërë mirë, sepse të tjerët duket qartë se kështu mendojnë! Për pasojë, e pikërisht për shkak të paaftësisë apo dështimit në këtë aspekt, ku u përzie pa asnjë teklif, “i njomi me të thatin”, në vazhdën e një përpjekjeje të padëgjuar në histori për trajtim “të barabartë” të agresorit dhe viktimës, Kosova, e çliruar me mbështetjen e avionëve ushtarakë e të trupave të aleatëve të mëdhenj strategjikë të popullit të saj, u profilizua vit pas viti, përmes instrumentave ligjorë ndërkombëtarë si viktimë e të drejtës së saj për të qenë e lirë dhe e pavarur.

Ndërhyrja ushtarake e botës demokratike për të shpëtuar popullin e Kosovës nga gjenocidi, duke mbështetur Ushtrinë e saj Çlirimtare, i hapi rrugë lirisë e pavarësisë së Kosovës dhe fatkeqësisht, njëkohësisht edhe një procesi fajësimi “ligjor” të vetë përpjekjes për liri e pavarësi. Sot, pikërisht për shkak të përshkallëzimit të këtij procesi, që zgjatet e ngatërrohet deri në arrestime absurde si ky i Ramush Haradinajt, duke thelluar fajësimin e çlirimtarëve bashkë me fajin e bashkëçlirimtarëve, raporti i shpëtimtarëve ndërkombëtarë të Kosovës me Kosovën, i ngjan një shfaqjeje skizofrenike ndaj këtij vendi që u çlirua e pavarësua falë mbështetjes së tyre, ku ndërkohë kërkohet prej kohësh të ligjërohet, po prej tyre, me një pahir të pajustifikueshëm, faji i barabartë i viktimës me agresorin.

Duke e parë jo si spektatorë po si pengje të lirisë, zhvillimin në vite të kësaj shfaqjeje që kulmoi me idenë ekstravagante të një Tribunali të veçantë për çlirimtarët “kriminelë”, prapëseprapë, edhe njëherë, udhëheqësit politikë të Kosovës e institucionet e saj, zgjodhën rrugën e bashkëpunimit të plotë me bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë, e jo të refuzimit të kësaj ideje që ngjante si shprehje e një imponimi të këtyre të fundit për të ecur më tutje, në një rrugë drejtësinë e të cilës të paktën historia nuk e provon të tillë. Po sot, duhet kujtuar gjithashtu se kjo rrugë nisi në Hagë, ku u thirr e u ndalua jo vetëm Sllobodan Millosheviçi dhe garda e xhahilëve të tij, që nisi luftën dhe ushtroi gjenocide të hapura në territore të ish-Jugosllavisë, por edhe komandantë ushtrish lokale të këtyre territore. Të cilët luftuan për mbrojtjen e popullatës dhe organizimin e rezistencës së armatosur ndaj agresorit të Beogradit. Në Hagë përfunduan e po në Hagë u pafajësuan edhe disa nga komandantët e UÇK-së, përfshirë edhe Ramush Haradinajn.

Dhe po atje u vendos që vendet përkatëse – pra njëlloj si agresori, Serbia, ashtu edhe viktimat e agresionit, Kosova e të tjerët – të kushtëzohen të hetojnë dosje të tjera në rast se eventualisht paraqitet nevoja. Mirëpo, nëse Serbia mund të veprojë në mënyrë të pavarur dhe politikisht të përshtatur sipas nevojës, përmes mekanizmave të saj të brendshëm në këtë drejtim, Kosovës nuk i’u dha kjo mundësi, për shkak të prezencës së EULEX-it, i cili në misionin e vet kishte dhe ka për qëllim zbardhjen e aktiviteteve të natyrës kriminale. Siç duket EULEX-i dështoi dhe këtë e thotë vetë fakti që Kosovës i’u kërkua miratimi në Kuvend i një Tribunali Special për krimet e luftës, me seli jashtë Kosovës, për të gjykuar “kriminelët” e një lufte në mbrojtje të lirive e të drejtave njerëzore nga një agresor që synonte spastrimin etnik të shqiptarëve prej trojeve të tyre. Atëhere, sot ngrihen vetiu pikëpyetje të rënda:

Pse pafajësia që Ramush Haradinaj mori nga Gjykata e Hagës nuk i mjafton këtij qytetari të shtetit të Kosovës, që të mos ndalohet në një kufi europian si të ishte një kriminel në kërkim ndërkombëtar?! Çfarë nuk u mjafton akoma prej Kosovës bashkëçlirimtarëve ndërkombëtarë, në këtë marrëdhënie të ndërtuar kaq shtrembër, moralisht e juridikisht, në raport me historinë e Luftës Çlirimtare në Kosovë, ndërkohë që politika kosovare ka treguar gatishmëri të skajshme për t’iu përgjigjur pozitivisht kërkesave jo gjithnjë të përligjura të kësaj marrëdhënieje, siç ishte rasti i miratimit të Tribunalit Special për Kosovën?!

Si ka mundësi që urdhër-arrestet e vendit agresor të një lufte që përfshiu vetë NATO-n kundër atij vendi, të mundet ende sot të vlejnë si mandate legjitime të policive të një sërë vendesh europiane, për të burgosur luftëtarët që i’u kundërvunë atij agresioni dhe që, për më tepër, i janë nënshtruar më pas, pa asnjë rezistencë, qoftë Hagës dhe qoftë votimit parlamentar të risisë botërore të një Tribunali Special për vetveten?! Unë nuk di ta jap sot përgjigjen e këtyre pyetjeve. Por ja çfarë jam i sigurtë se duhet thënë sot që nesër të mos jetë vonë: Stabiliteti dhe siguria e Kosovës, ku NATO ka praninë e saj më të madhe në rajon, është parakusht i patjetërsueshëm jo vetëm për stabilitetin rajonal, po edhe për Ballkanin si investitor në arkitekturën e paqes e të sigurisë europiane.

Qasja e dyzuar e Bashkimit Europian ndaj Serbisë dhe Kosovës, ku të parës i tolerohen eksese inerciale të së shkuarës së vet, siç është, ndër të tjera, mbajtja në fuqi e urdhër-arresteve ndërkombëtare për “kriminelët” e UÇK-së, ndërsa të dytës i vihen kushte sui generis deri edhe për liberalizimin e vizave, po krijon një lëndim psikologjik që mund të ndikojë për keq, jo vetëm në perceptimin e popullit euro-optimist të Kosovës për raportin me Europën e Bashkuar, po edhe në tërësi tek shqiptarët si kontribues të padiskutueshëm në projektin e madh të paqes e të integrimit të plotë europian të rajonit. Bashkëçlirimtarët ndërkombëtarë të Kosovës duhet të zgjohen, përpara se sa Kosova të ndjehet e tradhëtuar prej tyre!

Edi Rama

Artikulli paraprakSHKOLLAT NUK HAPEN ME 9 JANAR, SHKAK GRIPI
Artikulli tjetërENERGJIA, SHKODRA NDËR RAJONET ME MË ME SHUMË DEFEKTE