Kjo është rruga për të cilën është arrestuar nga SPAK ish kryetari i bashkisë Fushë Arrës Fran Tuci dhe administratori i Iballës Ndoc Marku të dyshuar për “shpërdorim detyre” dhe “shkatërrim prone”. Kjo rrugë ka një gjatësi prej afro 1.8 kilometër dhe i shërben 500 banorëve të fshatrave Berish e Vogël, Berish Vendi, Shopel dhe Lodric. Ish kryebashkiaku Tuci është i dyshuar pasi supozohet se ka dhënë lejen në 2020 për të hapur një rrugë të re. Në fakt pala mbrojtëse e ish kryebashkiakut dhe administratorit të Iballës hedh poshtë këto pretendime duke thënë se nuk është e vërtetë se është hapur një rrugë e re.

Sipas tyre ky aks rrugor ka ekzistuar edhe më përpara. Historia nis në vitin 2020 kur ish kryebashkiaku Tuci ka dhënë një leje për rehabilitim rruge autorurale dhe jo për hapjen e një rruge të re siç dyshohet. Në lejen për rehabilitim avokatët mbrojtës pretendojnë se leja është dhënë vetëm për pastrimin e rrugës ekzistuese në mënyrë që të kalonin afro 500 banorë të atyre katër fshatrave.

Po ashtu pala mbrojtëse pretendon se ajo rrugë nuk është pastruar me paratë e buxhetit të bashkisë Fushë Arrës asokohe por me paratë që kanë mbledhur vetë banorët. Ish kryebashkiaku Tuci pretendon se ka dhënë lejen për subjektin “Legjendari” vetëm për pastrimin e atij aksi ekzistues sepse fondet i kanë mbledhur vetë banorët duke kontribuar për rrugën e tyre. SPAK e arrestoi Fran Tucin me dyshimin se ka hapur një rrugë të re me gjatësi 1.8 km dhe gjerësi 5 m duke shkaktuar një dëm prej 234 mln lekë fondit pyjor, gjë e cila nga avokatët mbrojtës është hedhur poshtë duke pretenduar se rruga ka qenë ekzistuese dhe se leja e 2020-ës është dhënë vetëm për pastrimin e atij aksi.

Artikulli paraprakHIPOTEKA E SHKODRËS NUK FUNKSIONON
Artikulli tjetërSHTYPI I DITËS 15 KORRIK 2023