Tiranë, arrestohen 2 tatimorë, morën para për të mos mbyllur biznesin
Dy specialistë të Drejtorisë së Tatimeve të Tiranës, u ndaluan nga zyra e Antikorrupsionit në Drejtorinë e Policisë së Tiranës me akuzën e “Korrupsionit aktiv ndaj personave që ushtrojnë fuksione publike”. Ndërkaq një person tjetër u shpall në kërkim nga policia, në kuadër të të njëjtit hetim. Albert Çako, 43 vjeç, si dhe Anxhelo Sida, 29 vjeç, përkatësisht inspektor dhe specialist në të drejtorinë Rajonale të Tatimeve, u ndaluan me akuzën e korrupsionit aktiv të zyrtarëve publikë. Arrestimi u krye menjëherë pas transmetimit të pamjeve filmike në emisionin investigative “Fiks Fare”, ku ata shfaqeshin duke marrë një shumë parash prej 20 mijë lekësh të reja, nga pronari i një subjekti në kryeqytet. Në këmbim të parave, ata nuk duhej të merrnin masën administrative përkatëse dhe mbylljen e aktivitetit. Ndalimi i tyre është bërë me vendim të Gjykatës, pas kërkesës së Njësisë Task- Force të Prokurorisë së Tiranës.