Policia e Shkodrës ka arrestuar tre persona dhe ka sekuestruar gjashtë mina me telekomandë.
Hilmi Isufaj, Shkëlzen Metaliaj dhe Flamur Bega u prangosën nga forcat e policisë në kuadër të operacionit të koduar “Porosia”. Prokurori i Shkodrës Granit Shahu në praninë e drejtorit vendor të policisë së Shkodrës Lorenc Panganika doli në një deklaratë për shtyp teksa bëri të ditur arrestimin e tre personave dhe sekuestrimin e gjashtë minave me telekomandë, dy pistoleta, një snajper, dy celular dhe dy automjete. Në deklaratën për shtyp prokuri Shahu nuk ka dhënë shumë detaje. Pak minuta pas deklaratës së prokurorit të Shkodrës edhe policia vendore doli me një komunikatë për shtyp duke bërë të ditur arrestimin e tre shtetasve Hilmi Isufaj, Flamur Bega dhe Shkëlzen Metaliaj. Në komunikatë policia dyshon për një grup kriminal të organizuar dhe në bashkëpunim me Prokurorinë po thellohen hetimet e këtij aktiviteti për dokumentim të lidhjeve të tjera kriminale.