Finalizohet operacioni antikontrabandë “Transportuesi”.
Operacion nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Në pranga 6 persona.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë , pas informacioneve të marra në rrugë operative dhe më pas ndjekjes me metoda speciale të hetimit në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, finalizuan operacionin e koduar ” Transportuesi”.
Në kuadër të këtij operacioni u bë ndalimi i shtetasve:
• M.Sh., 47 vjeç, lindur dhe banues në Shkoder.
• D.K., 36 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë,
• K.Sh., 44 vjeçe, banuese në Durrës.
• I.N, 56 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Tiranë.
• D. M., 55 vjeç, banues në Tiranë.
• M.N., 56 vjeçe, banuese në Tiranë.
Arrestimi i tyre u bë pasi janë kapur në kushtet e flagrancës në aksin rrugor “Tuneli Elbasanit – Rrethrrotullimi Tegut” , me një sasi mallrash të dyshuara kontrabandë, si veshje dhe produkte të tjera në vlerë të konsiderueshme.
Theksojmë se të gjithë personat e arrestuar janë subjekte tregtare me NIPT dhe ushtrojnë aktivitetin tregtar në qytetin e Tiranës.
Në cilësinë e provës materiale në funksion të këtij procedimi u sekuestruan mallra të ndryshme kontrabandë, si veshje të ndryshme për të gjitha moshat , parfume dhe barna mjekësore.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur, për veprat penale “Kontrabandë me mallra të tjera’ në bashkëpunim” dhe ” Kontrabanda nga punonjës që lidhen me veprime doganore“ të parashikuar nga nenet 174/2 dhe 175 të Kodit Penal.