Policia financiare e qytetit të Barit në bashkëpunim Drejtorinë e Përgjithshme të Antimafias Italiane, ka ekzekutuar sot arrestimin e 69 personave mes të cilëve politikanë, sipërmarrës e mafiozë.
Akuza ndaj tyre është korrupsion, manipulim tenderash publikë e bashkëpunim me organizatën kriminale të Mafias së Napolit “Camorra”. Hetimet e policisë italiane kanë përfshirë në këtë operacion emra të rëndësishëm të politikës e sipërmarrëse të qytetit të Napolit. Mes përsonave të arrestuar janë këshilltari rajonal i Kampanjës Pasquale Sommese, i Partisë “Nuovo Centro Destra” e ish këshilltar i turizmit në këtë rajon, Kryetari i Bashkisë së Aversës në provincën e Casertës Enrico De Cristofaro, kryetarët e bashkisë së komunave Riardo e Pompei, ish kryeari i bashkisë së komunave San Giorgio a Cremano, si dhe vëllai i kryetarit aktual të Bashkisë së Casapesenna (Caserta), Raffaele De Rosa.
Hetimet e financës italiane kanë zbardhur 18 tendera të fondeve publike rajonal, në komuna të ndryshme të provincës së Napolit, dhënë përgjatë viteve 2013-2016 në favor të klanit kamorrist të familjes mafioze Zagaria. Në qëndër të hetimeve është figura e inxhinierit Guglielmo La Regina, mjaft i njohur në Napoli dhe i ashtuquajturi “The Queen”, i cili mbante lidhjet me shoqëritë nën pronësi të familjes mafioze Zagaria. Nën pranga kanë përfunduar dhe mjaft administratorë lokalë, funksionarë publikë , ekonomistë, inxhinierë, profesorë universitarë etj. Hetimet janë zbardhur falë dëshmisë së Loredana Di Giovanni, e cila përgjatë zgjedhjeve të fundit vendore kishte punuar për të manipuluar votat në favor të këshilltarit të NCD, Pasquale Sommese. Dëshmia e saj ka qënë vendimtare në zbulimin e të gjitha kanaleve të fshehura të kësaj ngjarje.