Dy shtetas shqiptarë, me moshë 30 dhe 42 vjeç, janë arrestuar në Greqi, pas një përndjekjeje nga policia.
Ata akuzohen si pjesëtarë të një bande që vidhte vila, në zonat bregdetare, në veri lindje të Athinës.Policia thotë se ata e kishin nisur që prej katër muajsh aktivitetin e tyre.
Pasi “piketonin” vilat ku do të goditnin, ata shkonin në orët e mbrëmjes dhe i binin ziles për të verifikuar nëse kishte njerëz apo jo. Pastaj, shpërthenin dyert apo dritaret dhe futeshin brenda ku vidhnin kryesisht bizhuteri të shtrenjta, para dhe sende të tjera të çmuara.
Bastisjen e kryente njeri prej tyre, ndërsa tjetri qëndronte jashtë, në makinë, duke bërë punën e rojës.
Policia thotë se deri tani janë verifikuar 12 vjedhje të kryera prej dy shqiptarëve, kryesisht në Rafina, Spata dhe Artemida.
Menjëherë më pas ata i shisnin sendet e vjedhura te tregtarë që merreshin vetëm me këtë punë.
Megjithatë, policia nga kontrollet në banesat e dy të arrestuarve gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës një sasi të konsiderueshme bizhuterish, 6.720 euro, një pistoletë dhe dy krehra me fishekë, një numër të madhe telefonash celularë, vegla që përdornin gjatë vjedhjes, si dhe një automjet.
Të dy ata kanë rezultuar persona të skeduar që më parë, madje njeri prej tyre ishte arratisur nga burgu.