Aktivitetet afatgjata të kontrollit të territorit në provincën e Pavias, e mbi të gjitha në rrethinat e qytetit, kanë evidentuar një aktivitet të tregtisë së lëndëve narkotike, të llojit kokainë dhe marijuanë.
Kjo jo vetëm në zonat urbane të Pavias, Vogheras dhe Vigevanos, por edhe në vende kryesisht të qeta si Belgioioso, ku prania e bimëve të larta e të dendura u siguronin trafikantëve një mjedis ku mund të vepronin pa u penguar. Lëndët narkotike vinin nga dy kanale furnizuese: Franca për kokainën dhe Shqipëria, nga e cila vinte marijuana. Droga, me të mbërritur në provincën e Pavias, shpërndahej pjesërisht në Veneto për t’iu shitur shpërndarësve në atë zonë, ndërsa pjesa më e madhe hidhej në tregun provincial, veçanërisht në periferinë e Vogheras e zona të tjera të Pavias, si Belgioioso, ku më 5 shkurt të vitit 2015 ishte arrestuar një prej korrierëve shqiptarë, në atë rast nën disponimin e rreth 141 kg marijuane e thuajse një kilogram kokaine, përveç një pistolete dhe një pushke. Pas hetimeve të kryera nga njësia hetimore e Komandës Provinciale të Pavias, pranuar nga Prokuroria e Republikës në Pavia, mëngjesin e kësaj të marte rreth orës 5, në Voghera dhe Spinea, agjentët kanë ekzekutuar urdhërarrestet e lëshuara më 30 janar të këtij vitit për dy shtetas shqiptarë, A.H., 42 vjeç dhe banues në Voghera, si dhe P.S., 20 vjeç e banues në Spinea. Këta të dy akuzohen për posedimin dhe tregtimin e drogës, në këtë rast kokainë dhe marijuanë, për veprat kriminale të kryera mes viteve 2014 dhe 2015. I pari ishte përgjegjës për importet e kokainës që hidhej më pas në treg. Nga hetimet është zbardhur aktiviteti i paligjshëm i A.H., që në më shumë sesa një rast gjatë këtyre viteve, kishte blerë personalisht rreth 25 kg kokainë dhe rreth 150 kg marijuanë.
Ndërsa shqiptari i dytë ishte përgjegjës për shpërndarjen e marijuanës dhe duke zbatuar veprimet me natyrë kriminale, kishte furnizuar me rreth 22 kg lëndë narkotike një sërë konsumatorësh nga Pavia. Në vazhdën e këtij aktiviteti kriminal janë identifikuar edhe subjekte të tjera të dyshuara, pozicionet e të cilëve në këtë rrjet po shqyrtohen nga hetuesit.