Arrestohen ‘padronët’ shqiptarë të drogës në Itali. Sekuestrohen drogë dhe 40 mijë euro
Ata ishin shpërndarësit kryesorë të marijuanës në komunën e Montebellunas në Treviso, por të martën u arrestuan. Në pranga, pas një hetimi të gjatë të koordinuar nga karabinierët e Montebellunas, janë dy shqiptarë, T.E., 29 vjeç, me banim në Cornuda dhe B.A., 35 vjeç, me banim në Crocetta del Montello. Efektivët, pasi i kanë ndjekur për disa ditë, duke verifikuar se ata takonin disa të rinj që njiheshin si përdorues droge, mbrëmjen e së hënës mësynë në banesat e shqiptarëve me ndihmën e një qeni antidrogë. Gjithsej, janë sekuestruar mbi 40 mijë euro dhe 3 kg e gjysmë marijuanë, ndërsa në pranga janë vënë edhe dy shqiptarët. T.E. është aktualisht nën arrest shtëpiak, ndërsa B.A. është dërguar në qeli në burgun e Santa Bona në Treviso.