Të gjithëve na është kthyer në makth, kur udhëtojmë në makinë gjatë natës dhe rruga është e pandriçuar.
Por jo gjithmonë faji është i shtetit, siç shumë prej nesh shprehen. Disa persona të cilët tashmë u identifikuan dhe u arrestuan nga policia, kanë tentuar të vjedhur kabujt e linjës së ndriçimit në një gjatësi prej 820 metrash, në autostradën Tiranë-Durrës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar, sqaron se nga Rrethrrotullimi Shqiponja km 0+000 deri në km 0+820 u raportua nga ana e kontraktorit për mirëmbajtjen e këtij aksi, tentativa për vjedhje të kabujve.
“Persona të paidentifikuar kishin gërmuar dhe thyer betonet duke dëmtuar në shumë vende kabujt e ndriçimit në këtë gjatësi të rrugës dhe duke marrë një sasi.
Falë punës së Policisë së Tiranës dhe bashkëpunimit, u bë e mundur identifikimi dhe kapja e autorëve, të cilët gjatë paradites së djeshme vodhën kabujt e energjisë elektrike për shtyllat e ndriçimit dhe për këtë do të dënohen sipas ligjit në fuqi.
Kujdes, askush nuk ka të drejtë të cënojë, apo vjedhë pronën publike! Çdo shtetas që kryen vepra të tilla do të penalizohet me forcën e ligjit”, thotë ARSSH në një njoftim zytar.