Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Hoti”.
Tentuan t’i jepnin ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, arrestohet në flagrancë 1 shtetas, shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tij.
Nga strukturat e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, në zbatim të planit të masave “Për goditjen dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm”, pas një pune të mirëorganizuar u finalizua operacioni policor i koduar “Hoti”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasit R. Ç., 18 vjeç, banues në Shkodër.
Si dhe u shpall në kërkim shtetasi R. L., 23 vjeç banues në Shkodër.
Këta shtetas kanë qenë duke qarkulluar me dy mjete në zonën e Hotit dhe pasi kanë konstatuar mjetet e Policisë janë shkëputur nga rruga nacionale Hot-Vermosh dhe janë futur në një rrugë dytësore. Shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të tyre dhe pas ndalimit kanë konstatuar se me këto dy mjete po transportoheshin drejt Malit të Zi, 15 shtetas nga vendet e treta, që kishin si destinacion vendet e BE-së.
Nga veprimet e para hetimore ka rezultuar se dy mjetet ishin marrë me qera nga shtetasi R. L., i cili është shpallur në kërkim.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprën penale “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit”, kryer në bashkëpunim.