Arrestohet 40-vjeçari i dyshuar se përgatiste sulme për vit të ri
Autoritetet australiane kanë arrestuar një 40-vjeçar i cili dyshohej se po përgatitej të kryente një sulm terrorist në vigjiljen e Vitit të Ri. I dyshuari, emri dhe shtetësia e të cilit nuk u bënë të ditura, u arrestua në aeroportin e Sidneit, në një avion që erdhi nga Londra. Ekspertët kishin parë dhjetëra kërcënime të bëra prej tij në rrjetet sociale dhe vendosën që t’a arrestojnë. I dyshuari po merret në pyetje për të zbuluar më shumë detaje mbi atë që ai mund të kishte planifikuar, ndërkohë që po hetohet për të parë nëse ka lidhje edhe me individë të tjerë. Autoritetet australiane po angazhohen maksimalisht në parandalimin e ekstremistëve, për shkak të numrit të lartë të turistëve dhe qytetarëve vendas që do të kalojnë mbrëmjen e fundvitit në Sidnei. Në spektaklin e fishekzjarrëve, i cili zhvillohet çdo vit në portin e qytetit pritet të jenë të pranishëm mbi një milionë persona, ndaj presioni është mjaft i madh për forcat e sigurisë. Këta të fundit kanë kryer edhe bastisje në disa banesa. Më herët, zyrtarët konfirmuan se kishin parandaluar një sulm terrorist të planifikuar për t’u ekzekutuar në vigjilien e Krishtlindjeve në qytetin e Melburnit. Sipas njoftimit, tre persona kishin planifikuar një sulm madhor, por falës punës hetimore të bërë nga ana e autoriteteve, terroristët u neutralizuan. Në banesën e tyre u sekuestruan një numër i konsiderueshëm armësh, dhe sasi lëndësh shpërthyese. Zyrtarët australianë kanë kërkuar që qytetarët të qëndrojnë vigjilentë gjatë mbrëmjes së ndërrimit të viteve si dhe të lajmërojnë autoritetet në raste emergjente.