Ditën e djeshme Rapush Hoxholli një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimit ra në prangat e policisë së bashku me gruan e tij.
Ata akuzohen se kanë shitur apartamente disa herë duke mashtruar shumë qytetarë në qytetin e Shkodrës.
Përveç tyre Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim dhe një 28-vjeçar pasi dyshohet se ka qenë bashkëpunëtor i tyre.
Hoxholli ka qenë i dënuar edhe më parë në Shkallën e Parë me 10 vjet burg, por vendimi u prish në Apel, ndërsa prokuroria çoi dosjen për rekurs në Gjykatën e Lartë.
Edhe bashkëshortja e tij është arrestuar në shtator të vitit të shkuar, sërish nën akuzën e mashtrimit, pasi ajo është administratorja e firmës së ndërtimit.
Ndalimi i tyre u bë pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me Vendim nr.460 datë 07.05.2018, ka caktuar masën, “Arrest me burg”, pasi dyshohen se me anë të mashtrimit kanë shitur disa herë personave të ndryshëm apartamente banimi.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim i shtetasit D. L. 28 vjeç, banues në Tiranë, pasi dyshohet të ketë bashkëpunuar me shtetasit e lartëpermendur.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Mashtrimit” parashikuar nga neni 143 i Kodit Penal.