Gazetari Taha Bouhafs u arrestua pasi në rrjetet sociale postoi se presidenti francez Emmanuel Macron ndodhej në një teatër në Paris, ku më pas u tubuan dhjetëra protestues.
Forcat franceze të sigurisë evakuuan presidentin Emmanuel Macron nga teatri për shkak të tentativës së protestuesve antiqeveritarë për të hyrë brenda. Plani i shpallur i qeverisë për reformën e pensioneve në Francë ka shkaktuar protesta dhe greva që nga 5 dhjetori i vitit të kaluar.
Të paktën katër civilë kanë humbur jetën nga bombardimet e avionëve rusë në vendbanimet në pjesën rurale perëndimore të provincës së Halepit në Siri që janë të përfshira brenda zonës së koridorit për qëndrimin e civilëve në Idlib në veriperëndim të Sirisë, ku aktet e sulmit janë të ndaluara sipas një marrëveshjeje ruso-turke.
Sipas opozitës, avionët rusë në orët e natës kanë kryer sulme ajrore në rrethin Daret Izze, dhe në zonat Hute, Sellum dhe Bala.
Sipas agjencisë lokale të mbrojtjes civile, e njohur si Helmetat e Bardha, katër civilë kanë humbur jetën, përfshirë dy fëmijë. Sulmi i fundit në zonën e koridorit ku qëndrojnë civilët në Idlib ka bërë që qindra mijëra civilë të zhvendosen drejt kufirit me Turqinë.
Një ngjarje e rëndë është shënuar në Meksikë, ku 10 muzikantë janë qëlluar për vdekje dhe trupat e tyre janë djegur gjatë një prite. Ngjarja ndodhi në pjesën jugore të Meksikës. Zyrtarët dyshojnë se prapa këtij sulmi qëndron një bandë e drogës.
Mësohet se viktimat, të moshës nga 15 deri në 42 vjeç, ishin anëtar të grupit muzikor “Sensacion Musical”, ndërsa ata u vranë në qytezën Chilapa të rajonit Guerrero, një nga rajonet më të dhunshme në Meksikë, ku bandat e drogës luftojnë për kontrollim të rrugëve të trafikimit drejt Oqeanit Paqësor dhe pjesëve të tjera të vendit.