Nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, është bërë kapja e personit të shpallur në kërkim, shtetasit Ardian Loci, 48 vjeç ish-punonjës i FNSH-së , banues në lagjen “Skenderbeg” në qytetin e Shkodrës. Kapja dhe ndalimi i tij u bë pasi Gjykata e Apelit Shkodër, me datë 21.06.2019 e ka denuar me 1 vit e 10 muaj burg, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Ardian Loci i cili mbante detyren e shoferit të FNSH, dekonspiroi një operacion anti-kanabis në vitin 2017. Loci përpara togave të zeza kërkoi ndryshim të masës së sigurisë në arrest shtëpie. Avokati mbrojtës cilësoi se zëvendësimi i masës nuk paraqet asnjë rrezik. Gjate seancës i akuzuari për “shpërdorim detyre” tregoi se gjendja e tij shëndetësore është përkeqësuar, ndërsa foli për gjendjen e rëndë ekonomike të familjes së tij.

Loci gjatë kohës së arrestimit të tij, nuk i pranoi asnjëherë akuzat, dhe do të shpërthente në lot brenda sallës së gjyqit.Prokurori i çështjes kërkoi disa ditë kohë për të shqyrtuar provat nëse plotësohen kushtet që të zëvendësohet masa e sigurisë për Ardian Locin. Bashkë me Locin u arrestuan për kultivim kanabisi në Dukagjin edhe 17 persona të tjerë, mes tyre edhe dy kryepleq.

Arrestimi i tyre u bë gjatë operacionit të koduar “Early Spring”. Sipas policisë ky operacion kishte zgjatur për një periudhë 10 mujore, ku ka qënë i përqëndruar në dokumentimin dhe goditjen e aktivitetit kriminal të kultivimit të bimëve narkotike.

Artikulli paraprakPËRMBYTJET, ANA E MALIT PËRGATITET PËR DIMRIN
Artikulli tjetërANKESAT E QYTETARËVE, SHÇBA: POLICIA E SHKODRËS E TRETA