Arrestohet në Mal te Zi shqiptari qe dyshohet se luftoi per ISIS
Një shqiptar 38 –vjeçar, nga Mali i Zi, është arrestuar nga autoritetet vendase si i dyshuar për pjesëmarrje në luftën në Siri në krah të ISIS-it. Mediat vendase i referohen një deklarate të shpërndarë nga policia e malazeze, sipas së cilës bëhet fjalë për shtetasin me origjinë shqiptare, Hamid Beharovic, nga Ulqini, i cili u arrestua të enjten në aeroportin e Podgoricës, nën shoqërinë e bashkëshortes dhe vajzës së tij të mitur. Sipas autoriteteve malazeze Beharovic është prej më shumë se një viti pjesë e organizatës terroriste. Shtypi vendas thotë se ky është rasti i parë i një shtetasi malazez, që rreshtohet në krah të ISIS-it. Drejtoria e policisë malazeze sqaron se po punon për mbledhjen e provave, pasi dyshon edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal. Sipas autoritete vendase ekziston dyshimi se bashkë me Beharovicin kanë udhëtuar ose qëndruar në Siri persona të tjerë që kanë lidhje me 38- vjeçarin. Gjashtë muaj më parë shërbimet sekrete malazeze njoftuan se ishin në dijeni të përfshirjes së një shtetasi malazez nga Ulqini, si pjesëtar i forcave të armatosura të Shtetit Islamik. Shërbimet sekrete malazeze thonë se rekrutimi i Beharovicit është bërë nga qendrat e rekrutimit në Bosnjë – Hercegovine. Beharovic është me origjinë shqiptare dhe familja e tij jeton në Ulqin. Mësohet se ai ka kaluar disa kohë në emigracion dhe konkretisht në Gjermani nga ku edhe dyshohet se ka rënë në kontakt me grupet terroriste.