Arrestohet në Bujanoc kryepolici i Mitrovicës. Akuzohet për terrorizëm

Shefi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës, Nehat Thaçi është transferuar nga qyteti jugor i Nishit në Beograd. Me çështjen e tij do të merret Prokuroria Speciale për Krimet e Organizuara. Thaçi u arrestuar në pikëkalimin kufitar “Dheu i Bardhë” mbrëmjes e së mërkurës, kur po udhëtonte përmes Serbisë drejt Europës Perëndimore, në një vizitë private. Gjykata e Nishit kishte lëshuar një fletarrest mbi çështjen e nisur në vitin 2009, e pas zyrtarizimit të akuzës në vitin 2010. Pas arrestit, Thaçi ka qenë në Nish, por më pas është transferuar. Iva Popoviç, zëdhënëse e Gjykatës së Lartë të Nishit, tha për Top Channel se bëhet fjalë për dy të dyshuar. Por procedura është në fazë hetimi. “Gjykata e Qarkut në Prishtinë ka marrë vendim për fillimin e hetimit ndaj të dyshuarit T. A. dhe Th. N., pasi ekziston dyshimi se kanë kryer veprën penale të terorizmit. Pasi lënda ka kaluar në përgjegjësi të Gjykatës së Nishit është dhënë fletarresti dhe, në bazë të kësaj, Th. N. është arrestuar. Gjithçka është dorëzuar në prokurori dhe tashmë i takon Prokurorisë për procedurat e mëtejshme”, tha Iva Popoviç. Policia serbe ka konfirmuar, në një njoftim të shkurtër për shtyp, arrestimin e të dyshuarit nga qyteti i Ferizajt. Por, sipas burimeve jozyrtare, në hetim është edhe një person tjetër, i cili bashkë me Thaçin kanë marrë pjesë – siç thuhet, – në aksione terroriste. Thaçi, ish-pjesëtar i UÇK-së, nuk e di ende nëse ky rast lidhet me kohën e luftës. Kjo nuk është hera e parë që shqiptarët nga Kosova arrestohen në territorin e Serbisë të dyshuar për krime lufte, apo edhe si rasti i dy policëve të Kosovës në vitin 2012, në kufirin Kosovë-Serbi, gjatë ushtrimit të detyrës, të cilët më pas u liruan.

Artikulli paraprakSEKUESTROHEN 167 KG DROGE NE LEZHE,NDALOHET 40 VJEÇARI
Artikulli tjetërMASHTRIMI,SI I “BRAKTISIN “FËMIJËT NË ITALI PRINDËRIT SHQIPTARË