Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, raportohet të jetë arrestuar në Francë.

Lajmi është bërë i ditur nga “Indeksonline”. Burime të kësaj media brenda AAK-së kanë konfirmuar se Haradinaj është kapur jashtë territorit të Kosovës, saktësisht në Francë. Arrestimi raportohet të jetë kryer në bazë të një urdhër arresti të lëshuar nga Serbia. Vite më parë, Haradinaj u ndalua edhe në Slloveni, edhe atëherë pas një urdhri arresti të lëshuar nga autoritetet serbe.

Arrestimin e Ramush Haradinajt në Francë e ka konfirmuar edhe ministrja e drejtësisë në Kosovë, Dhurata Hoxha. Sipas saj, autoritetet e Prishtinës po punojnë për lirimin sa më të shppejtë të ish-kryeministrit Haradinaj. “Është e vërtetë se është arrestuar lideri i AAK-së. Ne jemi duke i marr të gjitha masat që Haradinaj të lirohet sa më shpejt. Për këtë jemi duke punuar edhe me Ministrinë e Jashtme dhe ambasadat tona”, ka thënë Hoxha.

Sipas Hoxhës, ende nuk dihen arsyet e ndalimit të kreut të AAK-së. “ Jemi duke punuar. Shumë shpejt do t’i marrim vesh edhe arsyet e këtij arrestimi”, ka shtuar ministrja Hoxha.Edhe ministria e Punëve të Jashtme e ka konfirmuar ndalimin e Ramush Haradinajt. MPJ ka bërë me dije se janë duke punuar që Haradinaj të lirohet sa më shpejt. “Ministria e Punëve të Jashtme është duke u marrë intensivisht që nga ora 15h të ditës së sotme me rastin e ndalimit të z. Ramush Haradinaj, Kryetar i AAK-së. Ndalimi i tij nga autoritetet franceze është bazuar në një fletarrestë të Serbisë të vitit 2004 që për ne është i papranueshëm. MPJ ka nisur notat verbale nëpërmjet Ambasadës tonë në Paris dhe vetë ministri Hoxhaj është marrë personalisht për të shfrytëzuar të gjitha rrugët diplomatike që Haradinaj të lirohet sa më parë” ka thënë për Gazetën Express, Bashmir Xhemaj, Shef i Kabinetit te Ministrit Hoxhaj.

Artikulli paraprakSULM NË STAMBOLL, RAPORTOHEN TË PLAGOSUR
Artikulli tjetërEMERGJENCAT CIVILE TREGOJNË PËR SITUATËN NË SHKODËR SI PASOJË E RESHJEVE