Arrestohet në Frankfurt të Gjermanisë, Ardian Xhillari, biznesmeni i shpallur në kërkim për skandalin me naftën virxhin. Arrestimi i Xhillarit është bërë nga INTERPOL-i gjerman, pas shpalljes në kërkim ndërkombëtar.
Burime nga policia konfirmuan se Xhillari u arrestua në aeroportin e qytetit gjerman gjatë paradites. Nafta virxhin, e kompanisë kompania Tea Construcion & Petrol hidhej në treg e papërpunuar dhe sipas Prokurorisë i është shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej miliona eurosh si dhe pasoja teknike për automjetet e qytetarëve që janë furnizuar me naftë bruto e cila është tregtuar si cilësore. Pritet të nisin procedurat për ekstradimin e Xhillarit në Tiranë ku do përballet me akuzat e drejtësisë shqiptare. Prokuroria e Tiranës kërkoi sot 15 vite burg për Xhillarin, 5 vite për ish-zv/drejtoreshën e Doganave Lule Njebza si dhe tre vite për Mirarbër Teneqexhi, ish-drejtori i Doganës së Tiranës, të përfshirë në skandalin e futjes së naftës së papërpunuar në tregun vendas. Nga hetimet ka rezultuar se në këtë skemë evazioni ishte përfshirë dhe numri dy i Doganës asokohe zonja Njebza, ndërsa në total kanë qenë 4.5 milion litra naftë virxhin e nxjerrë në treg si naftë cilësore.
Ky hetim ka zgjatur për dy vite nga prokuroria e Tiranës pas kallëzimit të tatimeve për zhdukjen e 4.4 milionë litra naftë virxhin, ndërsa Xhillari po gjykohet në mungesë pasi prej nëntor 2017 ai është i arrestuar në Zvicër dhe ende nuk është ekstraduar në Shqipëri.