Shërbimi Kombëtar i Çështjeve të brendshme, ka vënë në pranga ditën e sotme një polic dhe një avokat, të cilët u merrnin para personave që kishin probleme me ligjin, duke ju premtuar zgjidhe.

Dy shtetasit, Haki Dyli, 60 vjeç i cili punonte si punonjës policie në Gjykatën e Durrësit dhe Devis Qana 40 vjeç me profesion avokat u merrnin para njerëzve duke ju premtuar se do të ndërhynin tek gjyqtarët dhe prokurorët për tu zgjidhur problemin.

Informacioni paraprak i Policisë:
SHÇBA ndalon 1 punonjës policie dhe 1 avokat, për ushtrim të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë në këmbim të shpërblimeve monetare

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme ka ekzekutuar 2 urdhër ndalimet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për:

– Inspektor Haki Dyli, 60 vjeç, punonjës policie me detyre trupë shërbimi në Sigurinë e godinës së Gjykatës Durrës;
– Devis Qana, 40 vjeç, Avokat, pranë Dhomës së Avokatisë Tiranë.

Ndalimi i tyre u bë në kuadër të një procedimi penal nisur disa muaj më parë, për veprën penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm, ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas një hetimi me metoda speciale u dokumentua me prova ligjore veprimtaria e kundraligjshme.

Të dy këta shtetas, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, u premtonin palëve në proces hetimi dhe gjykimi favorizim përmes ndikimit me forma anti-ligjore. Në këmbim të ushtrimit të ndikimit të paligjshëm te gjyqtarë e prokurorë, ata kërkonin shpërblime monetare që varionin deri në 2.000 euro.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur të tjera detaje.

Artikulli paraprakOPERACION NDËRKOMBËTAR PËR GRUPIN KRIMINAL SHQIPTAR
Artikulli tjetërNËNËS I VDES FËMIJA NË BARK, MJEKËT NUK PRANOJNË TA OPEROJNË