PUTIN: FTOJ UKRAINËN QË TI NËNSHTROHET PROÇESIT TË REFORMAVE. Pas 17 orësh bisedimesh maratonë është arritur më në fund marrëveshja e re e armëpushimit mes Ukrainës dhe rebelëve pro rusë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, në rolin e ndërmjetëses bashkë me presidentin francez, Fransua Holond, tha se tani kishte një fije shprese, por shtoi se kishte ende shumë punë për të bërë. Merkel konfirmoi se presidenti rus, Vladimir Putin, i kishte bërë presion rebelëve që të pranonin planin e armëpushimit që do të nisë më 15 shkurt.Palët ranë dakord edhe për tërheqjen e armatimeve të rënda nga territoret ku po zhvillohen luftime sipas vijave kufitare të rëna dakord në shtator 2014 si dhe për t’u takuar rregullisht për t’u siguruar për implementimin e marrëveshjes.Në fjalën e tij për mediat, Putin gjithashtu i bëri thirrje Ukrainës që të kryejë reforma kushtetuese për të respektuar të drejtat e rusëve që jetojnë brenda territorit të saj.“Nuk ishte nata më e mirë e jetës sime, por të paktën mëngjesi ishte i këndshëm, sepse pavarësisht vështirësive arritëm të binim dakord për çështjet kryesore. Bisedimet zgjatën deri tani sepse Kievi nuk pranon të flasë drejtpërdrejtë me Republikat Popullore të Donjeckut dhe Luhanskut”Merkel dhe Holond do të kërkojnë mbështetje edhe nga liderët e tjerë të Bashkimit Europian, me të cilët pritet të takohen gjatë ditës, si dhe do të shpresojnë që kjo marrëveshje të ndryshojë planet e Uashingtonit për të ndihmuar me armë ushtrinë e qeverisë së Kievit.Luftimet në lindje të Ukrainës kanë rrënuar vendin ekonomikisht, duke e çuar në prag të falimentimit. Për këtë arsye, shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristin Lagard, konfirmoi se institucioni që drejton i ka ofruar një paketë fondesh deri në 40 miliardë dollarë për katër vitet e ardhshme.