Sot në orën 11:00 rinis puna e Këshillit Politik, jo për çështjet e lëna pezull apo marrëveshjen e 5 qershorit, por për ndryshimet kushtetuese të propozuara nga opozita në Kuvend dhe të mbështetura fort nga kryeministri Edi Rama. Hapja e listave dhe heqja e koalicioneve parazgjedhore do të jenë tashmë në tryezën e Këshillit Politik.
Pallati i kongreseve për javë të tëra ka qenë mikpritësi i negociatave mes palëve politike për reformën zgjedhore. Por sot protagonistët do të ndryshojnë. Përveç Damian Gjiknurit, mazhoranca do të përfaqësohet dhe nga kryeministri Edi Rama.
E hëna e gjen kryedemokratin Basha në Kosovë dhe në vend të tij mësohet se do të jetë sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, ndërsa nga opozita parlamentare vjen kreu i grupit Demokrat Myslim Murrizi.
Edi Rama ftoi dhe presidentin Ilir Metën t’i bashkohej tryezës por presidenti nuk e ka konfirmuar pjesëmarrjen, ndonëse ishte ky i fundit i cili propozoi që ndryshimet në Kushtetutë të diskutoheshin në këtë tryezë.
Përveç presidentit, kryeministri i drejtoi ftesë dhe kryetares së LSI-së Monika Kryemadhi, e cila ka qenë e tërhequr nga zhvillimet e zgjedhores.
Pas vendosjes për t’u ulur sërish në tryezë, Oliver Varhelyi, komisioneri për zgjerimin në BE përshëndeti mbledhjen e Këshillit Politik por shtoi se marrëveshja vendimtare e 5 qershorit duhet të ruhet dhe votohet pasi adreson një kusht kryesor për bisedimet e pranimit në BE.
Ndërsa ish-anëtari i Gjykatës së Strasburgut, Ledi Bianku dha një mesazh për palët politike. “Për kujtesë Këshillit Politik, etj – në Yumak dhe Sadak k. Turqisë, 2008, Gjykata e Strasburgut u shpreh se pragu elektoral mund të pranohet por kur ka sisteme korrigjuese, të tilla si koalicionet zgjedhore dhe kur ka garanci institucionale dhe procedurale – Gjykata Kushtetuese”.
Këshilli politik që u krijua për të bërë ndryshime në reformën zgjedhore, do të jetë tryeza e cila pritet të bëjë bashkë të gjithë liderët politikë për disa çështje për të cilat konsensusi duket larg.