Mosmarrja e masave gjatë ditëve të para të reshjeve të borës ka bërë që drejtoria e autoritetit rrugor verior t’i drejtohet prokurorisë së Shkodrës.
ARRSH-ja e veriut ka bërë një kallëzim penal në organin e akuzës ndaj firmës së kontraktuar për mirëmbajtjen e aksit rrugor Dedaj-Bogë në Malësinë e Madhe. Shkak për këtë padi sipas ARRSH-së në pretendimet e saj është bërë neglizhenca e firmës për hapjen e rrugës dhe largimin e borës dhe ngricave në segmentin rrugor Dedaj-Bogë. Kjo rrugë të çon më pas deri në fshatin turistik të Thethit që aktualisht vijon të ketë probleme në dy anët. Në këtë mënyrë pas edhe konsultave dhe disa bisedave me përfaqësues të firmës mësohet se Autoriteti Rrugor i Veriut ka bërë padinë penale. Prokuroria e Shkodrës pas regjistrimit të këtij kallëzimi ka nisur menjëherë hetimet ndaj firmës së kontraktuar për mirëmbajtjen e rrugës Dedaj-Bogë. ARRSH kërkon që të merren masa dhe çështja të shkojë deri në gjykatë për këtë firmë duke qenë se aksi Dedaj-Bogë është në administrim të autoritetit rrugor dhe jo bashkisë Malësi e Madhe. Pak ditë më parë drejtori i emergjencave civile Shemsi Prençi bëri apel prokurorisë së Shkodrës që të nisë hetime ndaj firmave që mirëmbajnë akset rrugore sepse nuk kanë bërë siç duhet punën e tyre. Pas kësaj deklaratë ARRSH ka vepruar konkretisht duke kallëzuar penalisht një prej firmave me të cilat ka një kontratë për mirëmbajtjen e rrugës së Bogës. Edhe më përpara drejtori i autoritetit rrugor të veriut Shkëlqim Sterkaj ka bërë thirrje të vazhdueshme për firmat që të vënë në dispozicion mjetet dhe të jetë të gatshme në rast të emergjencave dhe nevojës për të hapur rrugët që kanë marrë përsipër.