Dy ditë më parë në Bashkinë Finiq rrugët janë mbushur me tabela në dy gjuhë greqisht dhe shqip.

Por ajo që ka sjellë reagime të forta si nga qytetarët por edhe nga politika është se gjuha e parë në këto tabela është përdorur greqishtja ndërsa shqipja është vendosur si gjyhë dytësore.

Këto tabela, shumica prej tyre u shkatërruan që ditën e parë që u vendosën, megjithatë Bashkia e Finiqit i vendosi sërish.

Së fundmi për heqjen e këtyre tabelave ka reaguar edhe shteti shqiptar, ku ARRSH dhe policia organizuan një aksion gjatë natës për heqjen përfundimtare të këtyre tabelave që shqipen e konsiderojnë gjuhë të dytë në Finiq.

Ky veprim është kundërshtuar nga banorët që i përkasin pakicës greke, por sipas ligjit vendosja e këtyre tabelave është në kundërshtim me ligjin.

Ndërkohë burime zyrtare nga ARRSH kanë deklaruar ARRSH ka ndërhyrë për heqjen e tabelave në rrugën nacionale pasi ato tabela ishin jashtë kushteve teknike dhe përbënin rrezik për përdoruesit e rrugës.

Ai shprehet se gjatë këtij aksioni janë kundërshtuar nga punonjësit e policisë bashkiake të Finiqit. Aksioni është përfunduar në të gjithë aksin Qafë Muzinë Ura e Gajdarit dhe Krane- Qafë Botë.

Në lidhje me kundërshtimin që ARRSH hasi nga policia bashkiake është depozituar edhe një kallëzim penal për Bashkinë e Finiqit.

Por çfarë parashikohet në ligjë: “Për mbrojtjen e Pakicave Kombëtare”, në nenin 15, pika 3 thuhet ” Me vendim të organeve të njësive të vetëqeverisjes vendore, ku mbi 20 për qind e banorëve u përkasin pakicave kombëtare, kur ka një kërkesë të mjaftueshme prej tyre, emërtimet e njësive administrative përkatëse,

të rrugëve dhe të treguesve të tjerë topografikë, krahas gjuhës shqipe, shfaqen dhe në gjuhën e pakicës përkatëse, sipas parashikimeve ligjore për vetëqeverisjen vendore”.

Nga ky ligj kuptohet se vendosja e këtyre tabelave është në kundërshtim të hapur me këtë pikë, pasi ligji përcakton që gjuhë e parë duhet të jetë shqipja dhe gjuhë e dytë është ajo e pakicës kombëtare, në këtë rast greke.

Së fundmi në lidhje me këtë incident ARRSH me anë të një postimi në Facebook sqaron të gjithë ndërhyrjen në Finiq.
Postimi i plotë i ARRSH:

Nisur nga konstatimi për vendosjen në rrugën kombëtare Qafë Muzinë – Sarandë – Konispol, të sinjalistikës rrugore me emertime të qëndrave të banuara në gjuhën minoritare të zonës dhe shqipe, Autoriteti Rrugor Shqiptar gjatë mbrëmjes së mbrëmshme,

në bashkëpunim me Policinë e shtetit ka realizuar heqjen e 35 tabelave, të cilat ishin vendosur jashtë standarteve të përcaktuara në Kodin Rrugor dhe pa miratimin e entit pronar të rrugës Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Sa me sipër, çdo palë e tretë jo ent pronar i rrugës, në kushtet kur vendos të ndërhyjë në rrugë apo vendosje sinjalistike treguese për zonat e banuara, duhet t’i referohet “Kodit Rrugor të Republikës së Shqipërisë” dhe V.K.M Nr.446, datë 05.03.2008 “PËR PËRCAKTIMIN E SPECIFIKIMEVE TEKNIKE TË TABELAVE TË EMËRTIMEVE TË PARQEVE, SHESHEVE, BULEVARDEVE E RRUGËVE DHE TË NUMËRTIMEVE TË NDËRTESAVE”.

ARRSH konstatoi se 35 tabela të vendosura në këtë aks nacional, nuk plotësonin kushtet e përcaktuara në kodin rrugor të RSh për mbrojtjen e sigurisë rrugore të përdoruesve të rrugës, ku shumica prej tyre pengonte shikueshmërinë e tabelave rrugore paralajmeruese në këtë aks.

Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket specifikimeve teknike të tyre.

Gjithashtu u konstatua se këto tabela sinjalizuese nuk plotësonin specifikimet teknike të përcaktuara në legjislacionin në fuqi përsa i përket renditjes së emertimëve në gjuhën shqipe dhe atë minoritare, ngjyrës dhe madhësisë së shkrimit të përdorur.

Si rrjedhojë, duke e konsideruar vendosjen e këtyre tabelave në shkelje të procedurave ligjore, Autoriteti Rrugor Shqiptar, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, si dhe Policinë Gjyqësore, kanë ndërmarrë gjatë

mbremjes se 4 majit masat për heqjen e këtyre tabelave duke eliminuar nga rruga 35 tabela sinjalizuese, të cilat ulnin sigurinë rrugore të mjeteve dhe përdoruesve të rrugës.

Artikulli paraprakLLESHAJ PËR DËSHMORËT E POLICISË: I PËRJETSHËM QOFTË KUJTIMI I TYRE! DËNIME TË ASHPRA PËR ATA QË CËNOJNË POLICËT
Artikulli tjetërPJERIN NDREU BASHKINË E LEZHËS PËR FLAMURIN ME KOKË POSHTË ‘PAPËRGJEGJSHMËRI EKSTREME’