Arsimi duket se ka qenë kryefjala e mbledhjes së fundit të grupit të PD. Duke iu referuar burimeve nga selia blu, demokratët kanë vendosur të marrin pjesërisht pjesë në punimet e Kuvendit. Po kështu mësohet se PD do të shkojë në komisionin e medias dhe do të kërkojë anulimin e ligjit të arsimit të lartë.
Kreu i PD, Basha ka deklaruar në mbledhje se ligjvënësit demokratë do të shkojnë aty ku kalendari parashikon çështje të ndjeshme për qytetarët. Ai ka kërkuar angazhimin me të gjitha kapacitetet për arsimin.
“Aty ku ka kalendar me çështje sensitive për qytetarët do shkojmë. Arsimi në Shqipëri është në kolaps total. Duhet të angazhojmë gjithë kapacitetet tona për arsimin.
Duhet të jemi të qartë. Qëndrimi ynë eshte anulimi i ligjit të arsimit të lartë. Për platformën e arsimit të lartë të angazhohen, ish-ministra arsimi, deputetë aktuale, pedagogë. Duhet të jemi të angazhuar totalisht për zinxhirin arsimor”, mësohet se ka deklaruar kreu i PD.
Ky qëndrim i PD vjen pak ditë para protestës së paralajmëruar të opozitës së bashkuar më 16 shkurt. Por sipas deklaratave nga përfaqësues të PD e LSI, kjo protestë nuk do të jetë e vetmja.