Thumbs up për Bleonën .Deri më sot nuk kam preferuar të komentoj punën e dikujt tjetër por në këtë rast nuk po mundem të mbyll syt para një linçimi të pastër mediatik (nga media shqiptare) lidhur me Bleona Qerretin dhe përpjekjet e saj që të depërtoj në show-biznesin Amerikan.

 

Aq me shumë ndihem e revoltuar në kolegët e mi të cilët janë bërë pjesë e këtij linçimi. Disa në menyrë aktive duke kritikuar hapur apo dinakërisht atë e të tjerët në menyrë pasive duke heshtur lidhur me padrejtësinë që po i bëhet asaj. Duke kujtuar thënjen “silence is consent” që do të thotë heshtja është miratim, unë vendosa të mos miratoj këtë padrejtësi por të them at që mua si kolege më takon ta them.

Hipokrizia dhe gjelozia patologjike e kolegëve të mi më tremb, ajo kalon çdo kufi të etikës njerëzore. Bleona i ka vendosur vetës një qëllim: do të depërtoj në tregun Amerikan dhe nuk do të kursej asgjë deri sa të arrij atë qëllim. Është e drejta e saj të bëj këtë dhe poashtu është e drejtë e saj të vendosi se cilën rrugë ta zgjedh për të arritur sa më shpejt në cak. Kush jemi ne ta gjykojmë atë për këtë gjë?

Pastaj çfar mëkati ka bërë Bleona që të meritoj një trajtim të tillë nga ne Shqiptarët? Se ajo gjat një interviste në tallje e sipër u deklarua se është Amerikane?

Kjo nuk është e arsyeshme sepse ajo atë e tha duke u tallur (pasi që gjith intervista ishte një tallje) dhe fundja zonjusha nuk gënjeu asgjë pasi që tashmë zyrtarisht është shtetase Amerikane. Në 101 raste tjera Bleona ka deklaruar që është Shqiptare prandaj të fajsosh atë për jo-patriotizëm vetëm në bazë të asaj deklarate është qesharake. Aq më pak kur dihet se në një reality-show.pjesë e së cilës ajo tani është e që emitohet në një TV kombëtar Amerikan ajo vazhdimisht flet Shqip.

Pastaj, kujt duam ti shesim patriotizëm? Dhe përse, të dashur gazetar, kjo nuk vlen edhe për kolegë tjerë por vetëm për Bleonën? A nuk kemi ne një seri artistësh që kan përbuzur popullin Shqiptar dhe gjuhën Shqipe pa u ndëshkuar asnjëherë nga ju, por përkundrazi sot jan ndër më të respektuarit? Edhe nuk e bën atë për të depërtuar në tregje të mëdha si ai Amerikan (se për tregun Amerikan kushedi se çdo bënin), por për disa tregje të lodhta. Kemi kolegë që pa u skuqur fare kënduan në gjuhen Maqedone në konkurset e Maqedonisë për këngën e Eurovizionit. Ndërkohë që është koha që artistët Shqiptar atje të japin qëndrimin e tyre të palëkundur duke kënduar në gjuhen e tyre (ose të mos konkurrojnë fare) pasi që ne përbëjmë atje gati gjysmën e popullatës. Pastaj kemi kolegë që bënë “bashkëpunime” me artistë Bullgar ku gjuha Shqipe injorohet totalisht. A nuk do ishte e denjë që në këto “bashkëpunime” gjuha Shqipe të vihej në të njejtin nivel si ajo Bullgare duke kënduar gjysma Shqip dhe gjysma tjetër Bullgarisht (pra secili artist në gjuhen e tij ose të vendosej të kendohej në një gjuhë të tretë, si p.sh. Në Anglisht)? E mos të flasim për kolegë që në trojet Shqiptare jo vetëm se respektohen por gati gati edhe mitizohen si artistë të mëdhenj të popullit dhe pasi të kenë jetuar 2-3 vite diku në Europë, dalin në televizion kombëtar dhe pa u skuqur fare thonë se nuk u mungon aspak Kosova. Kur dihet se është ky vend dhe ky popull që i bëri ata ta gëzojnë titullin artistë (sepse po të ishte për në vedin ku jetojnë, titullin artistë vetëm do mund ta ëndërronin).

Prandaj pse gjith kjo hipokrizi kur është në pyetje Bleona? Apo për shkak të asaj se ajo u shfaq në tanga në tepihun e kuq të American Music Awards në Los Angeles?

Po ju lutem, të njejtën gjë e beri njera nga koleget e mia hiq më larg se në Gjakovë, në tepihun e kuq të Videofestit. Pastaj paraqitjet të tilla nuk jan aspak të pazakonshme në show-biznesin Shqiptar, duke filluar me videoklipe, paraqitje skenike etj. Mos të harrojmë se tradita e të paraqiturit në “brekë” nuk ka kursyer as spektaklet serioze si Festivali i këngës ne RTSH, Kënga Magjike etj. Prandaj të dashur kolegë dhe njerëz të medias, mos te masim me dy kandar (peshore). Nuk mundet që kjo që bëri Bleona të quhet mëkat ndërsa ajo që bëjnë të tjerat të quhet art.

Dhe për fund, ne mund të mos pëlqejmë Bleonën si personalitet dhe metodat që ajo shfrytëzon për të arritur atë që synon (personalisht nuk do bëja atë që ajo po bën, qoftë edhe kur është tregu Amerikan në pyetje). Ne poashtu mund të mos vlerësojmë lartë personazhin e saj si artiste dhe prezantimin e saj (tani) si një lloj “ambasadoreje” Shqiptare në Amerikë (është qështje e shijeve por edhe e audiencave). Por ne të paktë do duhej të vlersonim MUNDIN që Bleona po bën për të arritur atë që synon. Vetëm ajo e di se sa herë është anashkaluar, përulur dhe refuzuar por asnjëherë nuk është thyer (mos të ju mashtojnë disa minuta teatër dhe kamuflazhë në tepihun e kuq apo në program, realitetin e di Bleona vetë). Dhe kjo meriton RESPEKT. Ndërsa për sa i përket rrugës që ajo ka zgjedhur mund të them vetëm një gjë: Bleona nuk është e marrë. Ajo e di mirë se të depërtohet në tregun muzikor Amrikan vetëm me talent, duhet të jesh Adele).

Prandaj thumbs up nga unë për Bleonën. Ndërsa për hipokrizinë e medias dhe kolegëve kam një porosi: “It is better to be an open sinner than a false saint”

Artikulli paraprakFamilja Kardashian po zhvishen me radhë
Artikulli tjetërRrëfehet Gaga: Më përdhunuan kur isha 19 vjeç