Rritja e pagave nuk i ka bindur mjekët që të qëndrojnë në Kosovë. Vetëm sivjet, 155 nga ta kanë migruar. Situata pritet të përkeqësohet në 2024-n, kur edhe liberalizohen vizat. Pagat për mjekët specialist kanë shkuar deri në 2 mijë euro. Përkundër zotimeve për ndalje të “ikjes së trurit”, sivjet 155 mjekë kanë braktisur Kosovën. Në Odën e Mjekëve kanë treguar se fluksi i të larguarve është më i vogël se vitin e shkuar, por shprehën drojën se situata do të përkeqësohet në 2024-n, kur edhe liberalizohen vizat.
“Tash jemi diku tek 155, që është numër më i vogël se vitin e kaluar. Vitin e kaluar kanë qenë, më duket mbi 200, kështu që këtë vit e kemi një rënie të këtij numri të kërkesave për dokumentacionin e nevojshëm për largim dhe kjo shifër më e vogël se e vitit të kaluar, mund të them se mund të jetë e ndërlidhur edhe me liberalizimin e vizave. Dhe mund të shohim se një rritje mund të ndodhë në vitin e ardhshëm, por këto janë krejt prezumime të cilat ne duhet të presim”.
Oda e Mjekëve ka hulumtuar motivet e largimit të profesionistëve shëndetësorë. Deri sivjet ikja është arsyetuar kryesisht me pagat e ulëta, por kur ato janë rritur, arsyeja ka ndryshuar.
“Deri më tani ka qenë paga, nëse jo arsyeja e parë, e dyta. Tani, pagat janë në vendin e tretë, por arsyeja kryesore ende qëndron papunësia, sepse shumica janë mjekë të rinj dhe të papunë. Ne kemi mbi 550 mjekë – nuk e kam shifrën e saktë tani – që janë të papunë dhe këta janë, ata që janë duke kërkuar punë dhe janë shumica e tyre që janë duke u larguar. Kjo është. Dhe arsyeja e dytë, kushtet e punës dhe kushtet kualitative të specializimeve sepse janë të gjithë ata që presin, e pastaj vjen paga”.
Kurse, ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka folur për sfidat e shumta që po ballafaqohet shëndetësia. Vitia më tej deklaroi se përgjatë viteve të shkuara intervenime të pjesshme nuk kanë rezultuar produktive, nuk kanë dhënë efektin e duhur.
“Prandaj jemi të përcaktuar për një reformë të pakthyeshme për të vendosur standarde të një reforme të pakthyeshme bazuar në analizë, në evidencë, që ky proces të jetë i pakthyeshëm”.
Ai tutje ka folur për migrimin e mjekëve, ku sipas tij, është një trend edhe në vendet tjera jo vetëm në rajon, por edhe në Evropë, derisa shtoi se deri në miratimin e Ligjit për paga, ikja e mjekëve ka qenë e kuptueshme.
“Me Ligjin e pagave, profesionistët shëndetësorë janë ata që përfituan më së shumti, një mjek specialist, bazuar jo vetëm në rrogën bazë, por me shtesa e kujdestari, rrallë ndonjë mjek specialist, sidomos në institucionet sekondare e terciare ka rrogën nën 2000 euro”.
Vetëm për tre vjet nga Kosova kanë ikur rreth 400 mjekë. Por, sipas të dhënave zyrtare paga bruto (e pataksuar) e mjekëve në Kosovë është 610 euro, derisa shembull në Gjermani, ata paguhen deri në 4000 euro. Ndryshe, sipas odave të profesionistëve shëndetësorë, në Kosovë ka 24 mijë e 92 punonjës shëndetësorë të licensuar dhe prej tyre 14 mijë e 966 janë gra dhe 9 mijë e 126 burra.