Xhelil Asani është zyrtarisht futbollist i Vllaznisë. Lajmi është bërë i ditur nga vetë burime zyrtare të klubit shkodran, teksa mbrojtësi i majtë ka nënshkruar një kontratë dy-vjeçare. Ai pritet të jetë si alternativë e Esin Hakajt, i cili momentalisht mungon për shkak dëmtimi dhe ende nuk dihet saktësisht se kur mund të rikthehet në fushën e blertë. Asani vjen nga ekipi i Erzenit dhe sezonin e shkuar ishte një nga më të spikaturit në rradhët e kësaj skuadre, pavarësisht se një dëmtim në fundin e kampionatit, e la për disa javë jashtë fushës së blertë.
Cilësitë që mbart 27-vjeçari duket se kanë bindur drejtuesit e Vllaznisë për një afrim të tij në Shkodër dhe tashmë ka ardhur edhe zyrtarizimi i Asanit si kuqeblu. Me afrimin e këtij të fundit, duket se marrin fund problemet për krahun e majtë të mbrojtjes, pasi shqiptaro-maqedonasi luan në atë pozicion. Ndërkohë, Vllaznia do të mbetet në merkato sërish për të afruar edhe dy futbollistë të tjerë, pikërisht një mesfushor me tipare sulmuese dhe një sulmues qendre për të qenë dublues i Bekim Balajt.