Tre banorë të zonës së ‘Astirit’ janë arrestuar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 pasi bllokuan rrugën sërish mbrëmjen e djeshme duke protestuar. Të arrestuarit janë E. F. 27-vjeç, R. D. 54-vjeç dhe T. Gj. 56-vjeç, të tre banues në rrugën “Teodor Keko” në Zonën e Unazës së Re.
Me hyrjen në fuqi prej datës 8 Tetor të ndryshimeve në Kodin Penal dhe ashpërsimit të dënimeve ata akuzohen për tre vepra penale “Organizim dhe pjesëmarrje në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Prishje të qetësisë publike” dhe Pengim të qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Mbrëmjen e djeshme në rrugën “Teodor Keko” në zonën e Unazës së Re ata organizuan dhe zhvilluan protestën e radhës si cdo natë, që konsiderohet e paligjshme, pasi kanë bllokuar qarkullimin në të dyja anët e rrugës. Pak ditë më parë u arrestuan edhe tre protestues të tjerë po për të njëjtat akuza,
ndërsa kjo solli reagimin e banorëve që ‘Astirit’ që zhvilluan një tubim para policisë ku u shënuan edhe disa incidente. Me ndryshimet e reja në Kodin Penal, bllokimi i qarkullimit rrugor duke cenuar të drejtat dhe liritë themelore për lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të mjeteve të transportit, do të përballet me pasojat e shkeljes së ligjit, deklaron policia e shtetit.