Pas konsultimeve me shoqatat e biznesit mbi paketën fiskale të vitit të ardhshëm ‘BiznesAlbania’ i ka dërguar Ministrisë së Financave propozimin mbi ndryshimet fiskale.
Presidenti i BiznesAlbania Luan Bregasi rendit disa nga këto propozime që në thelb kanë si synim lehtësimin e kostove të prodhimit vendas.
“Propozimi është të hiqet taksa e ambalazhit dhe e qelqit. Koncesioni i pullave fiskale është propozuar që nga 28 euro të bëhet 3 euro për 1000 copë dhe diferencën që ka ta paguaj shteti.
Çmimi energjisë për industrinë vendase është i lartë. Çmimi i ujit është 200% më i lartë se vendet e rajonit”, tha Bregasi.
Nismën e qeverisë për uljen e dividentit nga 15 në 8 % sipërmarrësit e shohin një lëvizje në drejtimin e duhur, pasi ky tatim konsiderohej i lartë.
“Ulja nga 15 në 8 % e normës së dividendit duhet thënë që është një lajm pozitiv.
Sigurisht biznesi kërkon që detyrimet të ulen sa më shumë, por si një pikënisje për të reduktuar këtë tatim mbetet për t’u vlerësuar, me synimin që ajo do të rishikohet gradualisht”, deklaroi Presidenti i BiznesAlbania.
Për Luan Bregasin rritja e kufirit të pagave të larta për efekt tatimi është një lëvizje, e cila nuk pritet të nxisë formalizimin e tregut. Ky kufi sipas tij duhet të jetë edhe më i lartë, pasi do t’i krijonte punëmarrësve deklarimin real të pagës.
“Kjo është një lëvizje që e relakson disi marrëdhënien mes shtetit dhe punëmarrësit, por gjithësi ky kufi në mendimin tim si sipërmarrës duhet të ishte edhe më i lartë, pse jo të ishte 200 mijë lekë, pasi kështu do të ndikonte pozitivisht në formalizmin e tregut.
Rritja e këtij kufiri nga 130 në 150 mijë lekë është minimal”, tha Bregasi.
Paketa e re fiskale që do hyjë në fuqi më 1 Janar parashikon ulje taksat. Sipas qeverisë, synimi është lehtësimi i klasës së menaxhereve për të lehtësuar ekonominë.